E Diel, 1 Nëntor 2026

Allmuça: Kjo Dinamo është ndërtuar për të fituar titullin

"Kjo Dinamo është ndërtuar për të fituar". Kështu mendon Igli Allmuça, një nga protagonistët e asaj loje simpatike që dhurojnë blutë në sezonet e fundit. Nga këmbët e tij nisen shumë aksione, por që shpesh nuk ngurron të shënojë emrin në listën e golashënuesve. "Sigurisht që po, miraton ish-mesfushori i Partizanit. Ky ekip është ndërtuar për të rivalizuar nga java e parë në kampionat dhe ka si objektiv primar titullin kampion. Por, ky trofe nuk mund të arrihet vetëm me fjalë. Ne duhet të tregojmë më të mirën tonë në fushën e lojës dhe vetëm atëherë kur të kemi marrë maksimumin nga çdo ndeshje mund të themi se jemi skuadra kampione e vendit". Tashmë "count-down"-i i sezonit të ri ka filluar dhe nesër do të zbresin në fushë të gjitha skuadrat. Shumë prej tyre kanë përcaktuar si objektiv fitimin e titullit kampion. Sipas seleksionimit të Allmuçës, "rivali më kryesor do të jetë Tirana, kjo jo vetëm se është kampionia në fuqi, por se ka një organikë të mirë futbollistësh. Pastaj unë nuk do ta neglizhoja aspak edhe Vllazninë, Flamurtarin e Besën, skuadra këto që për çdo vit kanë rivalizuar në kampionat, por edhe në kupë. Gjithsesi nuk do ta anashkaloja edhe Teutën e Durrësit, ekip që mbase nuk mund të rivalizojë sikundër të tjerat që thashë më sipër, por ka në organikë futbollistë që në ndeshje të caktuara mund të prishin punë". Më pas i rikthehet sërish të flasë për skuadrën e tij, e cila ka bërë një merkato efikase. "Dinamo ka marrë disa lojtarë të rinj, të cilët në gjykimin tim mund t‘i japin shumë kësaj skuadre, thekson Allmuça. Megjithatë, kjo do të shihet më mirë gjatë kampionatit, por mendoj se ne kemi pasur aq shumë kohë në dispozicion që të ambientoheshim me njëri-tjetrin. Skuadra ka zhvilluar disa ndeshje miqësore plus faktit se kemi bërë një fazë përgatitore mjaft të ngjeshur, ndaj besoj se që nga java e parë e kampionatit kjo skuadër nuk do të ketë probleme të këtij tipi. Të shpresojmë dhe të urojmë që do ta nisim me këmbë të mbarë sezonin e ri futbollistik". Ndërkohë që në kampin blu është menduar seriozisht për ndeshjen e së dielës kundër Kastriotit, pasi ata dëshirojnë të bëjnë hap fals që në start. "Normalisht, takimi i parë është mjaft i rëndësishëm, pasi tregon në një farë mënyre gjendjen dhe premisat e secilës skuadër, shtoi mesfushori. Ne do të shkojmë në Krujë për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm, pasi kjo është e vetmja gjë që na kërkohet. Dimë mirë që do të kemi përballë një skuadër, e cila do të ketë përkrah publikun e saj", përfundoi Allmuça.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›