E Diel, 1 Nëntor 2026

Insistimi i Ramës: Objektivi ynë janë zgjedhjet e parakohshme

Partia Socialiste mbetet e vendosur për zgjedhjet e parakohshme si e vetmja mënyrë për të mos lejuar cenimin e demokracisë. Me këtë mesazh, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti dje Wolfgang Grossruck, zv.president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe kryetar i delegacionit monitorues të kësaj asambleje. Para se OSBE-ODIHR t‘i japë dorën e fundit raportit përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, Grossruck, i shoqëruar edhe nga ambasadori Robert Bosch, takoi liderin e opozitës për të dëgjuar edhe një herë pretendimet e kësaj pale. Pas takimit me Grossruck, Rama u shpreh i bindur se PS nuk i "shet" zgjedhjet e grabitura dhe se zgjidhja e duhur janë zgjedhjet e parakohshme. Sa u përket deklaratave të Grossruck për zgjedhjet, Rama nuk pranoi t‘i komentonte ato dhe i konsideroi si mendime personale, duke lënë të nënkuptohej se do të marrë për bazë vetëm raportin përfundimtar. "Për ne rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i papranueshëm dhe i gjithë aksioni ynë politik do të jetë i fokusuar në betejën për të mos lejuar që deformimi i rëndë i 28 qershorit të kthehet në bazë për një ecuri normale të një jete politike, e cila tanimë është e kushtëzuar nga domosdoshmëria për të vënë në vend dinjitetin e votës dhe të votuesve shqiptarë, të cilët nuk e panë rezultatin e votës së tyre të shprehur si funksion i një procesi të lirë dhe të ndershëm nga fillimi deri në fund", tha Rama. Kreu socialist theksoi se provokimi i zgjedhjeve të parakohshme është një qëndrim zyrtar i Partisë Socialiste, pasi siç ka bërë të ditur edhe më parë, kur Parlamenti është ilegjitim dhe qeveria e dalë prej tij ka një mandat të pamjaftueshëm që të funksionojë normalisht. Zgjedhjet e parakohshme, vijoi Rama, janë pa as më të voglin dyshim një objektiv që buron jo nga një nevojë për të ndryshuar pushtetin nga duart e një partie në duart e një partie tjetër, por nga një domosdoshmëri jetike për demokracinë në vend, për rivendosjen e asaj baze pa të cilën nuk ka jetë demokratike dhe politike normale. Sipas tij, në kushtet kur demokracia është cenuar, nuk mund të realizohen as bashkëpunimet mes palëve. "Nuk ka bashkërendim dhe bashkëpunim mes palëve politike, nuk ka dialog dhe nuk ka shanse për të realizuar ato konsensuse që i duhet një shoqërie demokratike dhe një vendi që ka gjithë këto sfida dhe objektiva, siç është vendi ynë. Për këtë arsye, ne jemi absolutisht të bindur se misioni ynë sot, si opozitë, është në radhë të parë të mbrojmë demokracinë e kërcënuar", theksoi Rama. Media, sipërmarrësit e qytetarët, sipas kreut socialist, tanimë janë vënë nën shënjestrën e pushtetit vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike. "Të kërcënuar janë të gjithë ata që sot, pas zgjedhjeve, janë vënë nën shënjestrën e pushtetit, si sipërmarrës, media, qytetarë, dhe që për shkak të bindjeve të tyre, për shkak të qëndrimeve të tyre gjatë fushatës dhe në 28 qershor po goditen sot", tha Rama. Por edhe ato familje shqiptare, vijoi ai, që pavarësisht bindjeve të tyre, sot po e shohin qartë dhe do ta shohin e do ta ndiejnë përditë e më qartë, se kjo krizë e gjithanshme është në fund të fundit një krizë që ndikon drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e jetës së tyre. Takimi me Grossruck ishte dalja e parë publike e Ramës, pasi është kthyer nga pushimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama, në takim ishte i shoqëruar nga Arta Dade, Ditmir Bushati e Damian Gjiknuri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›