E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, kongresi do të miratojë qëndrimin politik për zgjedhjet

Socialistët do të përcaktojnë qëndrimin e tyre përfundimtar në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, më 29 gusht. Në këtë ditë pritet që kongresi i jashtëzakonshëm të miratojë rezolutën e paraqitur nga kryetar socialist Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Aktualisht PS ka konsideruar se zgjedhjet janë të papranueshme, se standardet janë cenuar rëndë dhe vetëm zgjedhjet e parakohshme e kthejnë legjitimitetin e tyre. Në rezolutën socialiste është vendosur që të konsiderohen zgjedhjet e 28 qershorit si një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike europiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit e të rezultatit të tij. Pika e dytë vlerëson rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshme, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit. Pika e tretë konsideron me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t‘i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandate politikisht legjitime qeverisë së vendit. Në pikën e katërt thuhet se PS distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t‘i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor, që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të kësaj force të madhe politike me qytetarët shqiptarë e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend. Ndërsa pika e pestë vëren se PS ka vendosur të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjitha instrumentet ligjore e kushtetuese; të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si dhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandate politikisht legjitime. Një prej çështjeve më të debatueshme para miratimit të kësaj rezolute ishte pjesëmarrja ose jo në Parlamentin e ardhshëm e grupit të deputetëve socialistë. Një pjesë e figurave të PS-së mendonin se kjo ishte një ndër rrugët e protestës, ndërsa një pjesë tjetër mendonin se grupi duhet të hyjë në Parlament dhe se kjo do e dëmtonte rëndë imazhin e Partisë Socialiste. Sakaq, me hyrjen në Parlament, PS ka paralajmëruar se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet, ndërsa nuk heq dorë nga kërkesa e saj e vazhdueshme për të rinumëruar kutitë e votimit në katër qarqe, pasi kjo kërkesë i është refuzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›