Leandro firmos për Vllazninë
Braziliani Leandro zyrtarisht është një lojtar i Vllaznisë. Lajmi është bërë i njohur dje, kur edhe futbollisti amerikano-jugor ka hedhur firmën e tij të zezë mbi të bardhë. Leandro do të jetë i lidhur me klubin shkodran për një sezon, por në kontratë është parashikuar opsioni i rinovimit të saj edhe për një sezon tjetër. Futbollisti 25-vjeçar vjen nga vendi i Ronaldinjos e Kakasë dhe beson se mund të shkëlqejë në kampionatin tonë. Pozicioni i tij në fushë është mesfushor qendre dhe shikohet si një përforcim shumë i mirë për skuadrën e trajnerit Hasan Lika. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen miqësore ndaj Partizanit e mbyllur në barazim 3-3. Kjo e ka bindur trajnerin Lika të japë "Ok"-in për të. Ndërkohë që vazhdojnë ende negociatat mes drejtuesve të Vllaznisë dhe ish-mbrojtësit të Kombëtares, Blerim Rustemi. Palët ende nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët. Ndërsa duket se është integruar më së mirë në ekip edhe ish-sulmuesi i Shkumbinit, Erion Rizvanolli.