Almhofer, shefi i ri i OSBE-së në Kosovë me status të shkurtuar
Austriaku Verner Almhofer është emëruar dje shef i ri i OSBE-së në Kosovë. Në këtë post diplomati austriak do të zëvendësojë zviceranin Tim Guldiman, ka bërë të ditur Finlanda, si kryesuese e radhës së OSBE-së në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Uerner Almhofer (1960) që nga viti 2005 është ambasador i Austrisë në Bosnjë - Hercegovinë ndërsa më parë ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik në Beograd dhe Romë. Sipas agjencisë austriake të lajmeve APA, Beogradi ka protestuar lidhur me mënyrën se si është zgjedhur Almhofer, duke konsideruar se nuk ka pasur konsultime me të gjitha vendet anëtare. Për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe Rusisë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Këshilli i Përgjithshëm i kësaj organizate e ka shkurtuar mandatin e shefit të OSBE-së në Kosovë nga një vit në gjashtë muaj.
19 Shtator 2008