E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB-ja miraton kërkesën e Serbisë për Kosovën, Anglia kundër



Komiteti i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara mbështeti njëzëri kërkesën serbe që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të votohet projekt-rezoluta e Serbisë dhe më pas nga Gjyqi ndërkombëtar i Drejtësisë të kërkohet vlerësimi mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mbedhja e zhviuar ka qenë shumë e tensionur pasi nuk dihej se si do të përfundonte. Mediat
serbe, janë shprehur se para mbledhjes së Komitetit, diplomatët serbë janë gjetur në një situatë të palakueshme, pasi disa shtete, kryesisht afrikane, nga të cilat Serbia ka pritur mbështetje pa rezervë, për një kohë kanë lëshuar pe para presioneve dhe kishin vendosur që me votën e tyre të mos e mbështesin nismën serbe. Por ka qenë fjalimi i përfaqësuesit të Spanjës i cili duket se ka bindur vendet për të dhënë votën pro kërkesës së Serbisë. Diplomati spanjoll kishte marrë fjalën e tij pas ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç, dhe kishte deklaruar se mbështeste pa rezervë nismën serbe. Përfaqësuesi britanik, i cili ka marrë fjalën më pas ka qenë dhe kundërshtari më i fortë i kësaj nisme. Pas këtij diskutimi, shumica dërmuese e 28 shteteve anëtare të këtij komiteti kanë vendosur që të mbështesnin nismën serbe, përfshirë këtu edhe disa shtete që tashmë e kanë njohur Kosovën, si përfaqësuesi nga Franca, i cili ka thënë se shteti i tij “nuk mendon se është gjë e drejtë megjithatë do ta respektojë vendimin”. Pas fjalimit të përfaqësuesit të Britanisë, që ka qenë kundërshtar i miratimit të nismës serbe, fjalën e ka marrë përfaqësuesi i SHBA-ve, i cili ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës, por ka shtuar dhe se Uashingtoni nuk do të kundërshtojë këtë iniciativë për Kosovën.
Iniciativa serbe arriti të futej në rend dite, por është një çështje tjetër se si do të votojë Asambleja e Përgjithshme, kur është fjala tek miratimi i rezolutës që kërkon mendimin e Gjykatës së Hagës. Disa vende e shohin me frikë vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së një vendi pasi kjo mund të hapë, siç thuhet, “kutinë e Pandorës”. Në këtë kuadër do të mund të shtrohej ligjshmëria e pavarësisë së shumë vendeve që janë njohur ndërkombëtarisht shumë vjet e dekada më parë.

Cërvenkovski e Milloshovski në Nju Jork për çështjen e emrit

Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski dhe ministri i Jashtëm Antonio Milloshovski do të marrin pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Gjatë vizitës në Asamblenë e Përgjithshme, delegacioni maqedonas do të zhvillojë takime me shefen e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun si dhe me përfaqësues të administratës amerikane.
Temë e këtyre takime do të jetë çështja e emrit kushtetues të Maqedonisë, dhe mundësia për të arritur zgjidhjen e këtij kontesti disa vjeçar mes Shkupit dhe Athinës. Pala maqedonase dhe ajo greke duhet t’i japin përgjigje pakos së ideve dhe propozimeve të parashtruara nga ndërmjetësi, Metju Nimiç në takimin e fundit për emrin në Nju Jork. Delegacioni i Maqedonisë kësaj rradhe nuk ka mbajtur takimin e zakonshëm bashkërendues për të harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e emrit. Maqedonia dhe Greqia ende nuk kanë zbuluar qëndrimet e tyre për propozimet e fundit të Nimiçit. Ndërkohë, SHBA-të dhe BE-ja kërkojnë zgjidhjen e problemit i cili do t’i hapë Maqedonisë rrugën për në NATO dhe BE.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›