Emigrantët, frikë për kthimin në atdhe
Ngjarjet e fundit, tragjedia e Gërdecit dhe vdekja e Kosta Trebickës, kanë shtuar ankthin dhe frikën e emigrantëve për kthimin në atdhe. Duket se pasiguria ne vendin e tyre, është bërë shqetësimi i ditës për të gjithë të larguarit nga vendlindja. Shkas për këtë janë bërë zhvillimet e fundit në Shqipëri, ngjarjet që ndodhin për çdo ditë në fshatra dhe në qytete. Janë pikërisht këto episode tronditëse që i detyruan shumë të rinj të braktisin vendlindjet e tyre, të lënë familjet e tyre në mëshirë të fatit dhe të marrin rrugët e mërgimit për një jetë më të mirë, por mbi të gjitha për një jetesë më të sigurt. Një pjesë e tyre dihet se janë larguar për faktin e thjeshtë dhe të njohur të nevojës ekonomike, pjesa më e madhe e të ikurve janë emigrantë ekonomikë, janë ata që Shqipëria nuk iu afronte asnjë mundësi, pra nuk “i mbante toka” për bukën e gojës. Të larguarit për shkaqe ekonomike janë vendosur, pra sistemuar në një jetë të re afër pra në vende si Greqia, Italia, Gjermania dhe të tjera. Disave prej tyre zhvillimet demokratike iu kanë bërë “dhuratë” probleme të mbartura, madje të mprehta e me rrezik jete dhe mes tyre dallohen të larguarit për shkaqe të hasmërisë dhe gjakmarrjes. Në kohën e sistemit të vjetër komunist, me dënimet e rënda që jepnin gjykatat, dukej se gjakmarrja ishte një fenomen “i shuar”, por në të vërtetë nuk rezulton kështu. Fenomeni më i rëndë i shoqërisë shqiptare qëndroi i fshehur për 50 vjet në ndërgjegjen, mendjen dhe zemrat e njerëzve. Me ndërrimin e sistemit siç duket gjakmarrja gjeti terren dhe lulëzoi edhe më, e kjo risolli në skenë Kanunin e Lekë Dukagjinit. Shumë njerëz sidomos në zonat verilindore të vendit si Shkodra, Lezha, Mirdita, Kukësi, Lezha, Mati, Dibra, Tropoja e të tjera të gjenin ilaçin për të shuar problemet, pasi kur vepronin sipas Kanunit u gjente prehje shpirti. Ndaj nuk është rastësi që emigrantët ekonomikë kryesisht janë sistemuar fare afër vendlindjes, të tjerët, ata që rrezikonin jetën nga zakonet e vjetra kanunore të mërgonin larg, shumë larg që t’i fshiheshin syrit që i njihte në Kanada, Australi, Amerikë etj. Nuk duhet harruar se gjakmarrja është pasoja, pasi shkaqet janë nga më të ndryshmet. Tranzicioni i tejzgjatur për një periudhë 18 - vjeçare dhe shumë i rëndë ka lënë pasoja të thella në shoqëri. Kulmi i të gjithave ishin ngjarjet e vitit 1997, ku e tërë shoqëria shqiptare kaloi një krizë të thellë të identitetit kombëtar. Situata agravoi deri aty sa në përgjithësi populli theu depot e municioneve dhe u furnizua me armë për vëllavrasje. Te vetëgjyqësia çojnë jo vetëm problemet e mbartura në vite, por edhe zënka të çastit për shkaqe banale, për një vijë uji, për një metër rrugë, gërvishtje makine dhe të tjera si këto. Edhe politika e konfliktit pozitë - opozitë ka mbjellë përçarje të thella në popull gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit të gjatë. Njerëzit të ngarkuar emocionalisht nuk presin gjatë, por thërresin në ndihmë kanunin dhe bëjnë vetëgjyqësi. Janë të panumërta rastet kur hasmi vret hasmin, babi vret djalin, burri gruan, apo edhe vëllai vëllain, ndaj dhe pasojat janë të dukshme teksa 300 familje janë të ngujuara duke u mohuar kështu fëmijëve të tyre, pra brezit të ri, të drejtën për arsim. Fenomene të tilla, pra hasmëritë e vjetra dhe të reja, pasiguria për jetën dhe për të ardhmen i detyruan të emigrojnë larg vendit të tyre David Dedin nga Shkodra, Alfred Lalajn nga Lezha, Ermal Torben nga Dibra, Petrit Pjetrin dhe mijëra e mijëra të tjerë. Për vite me radhë ata kanë lënë në vendlindjet e tyre prindërit, vëllezërit, motrat, bashkëshortet dhe fëmijët. Rrezikojnë të emigruarit nga fenomene dhe dukuri të mbrapshta, por rrezikojnë edhe pjesëtarët e familjeve të tyre në Shqipëri. Padyshim që familjarët e tyre prej vitesh kanë dashur t’i kenë në gjirin e tyre fëmijët e të larguarit emigrantë, por ama janë të vetëdijshëm se ardhja e tyre mbart rreziqe për jetë për ta sa kohë që forca e Kanunit është më e fuqishme se ligji. Deri kur kështu? Kjo është pyetja që buron nga zemrat e nënave dhe e gjithë shoqëria shqiptare, pyetje kjo që përgjigjen e kërkon nga politika dhe shteti.
19 Shtator 2008