Niveli i ulët i arkëtimeve, shkarkohet drejtori i OSSH-së në Kukës
KUKËS - Niveli i ulët i arkëtimeve në qarkun e Kukësit, mosvendosja e matësve të energjisë, si dhe mospagimi i faturave të energjisë nga sektori publik, bëhen shkak për shkarkimin nga detyra të drejtuesve të filialit elektrik të zonës. Burime zyrtare të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), bënë të ditur dje se drejtori i Përgjithshëm Sahit Dollapi, liroi nga detyra drejtorin e Shpërndarjes së zonës së Kukësit, Marsel Sallaku, si dhe drejtues të tjerë. Në zonën e Shpërndarjes së Kukësit, që përmbledh tre rrethe, Kukës, Has dhe Tropojë, ka rezultate më të dobëta në faturimin e energjisë elektrike të konsumuar. Rreth 2764 abonentë të punësuar në strukturat shtetërore nga mospagesat e faturave të energjisë elektrike, janë debitorë për shumën me vlerë prej 43,4 milionë lekë, bënë të ditur burimet. Drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi, për këtë problem është shprehur se "nuk do të lejojë që zona e Kukësit të cenojë, apo dëmtojë sadopak treguesit e kompanisë. Duke theksuar faktin se mbledhja e të ardhurave nga energjia e faturuar lidhet me përgjegjësinë e punonjësve të Shpërndarjes, Dollapi u shpreh se faturistët, elektricistët dhe përgjegjësi i grupit, janë personat përgjegjës që mbledhin faturat e energjisë dhe rezultatet e ulëta në Kukës tregojnë se kjo punë çalon.
Hetohet anëtari i Këshillit Bashkiak, falsifikoi firmën
LIBRAZHD - Anëtari i Këshillit Bashkiak të Librazhdit, Rrapush Bahiti është ndaluar nga policia nën akuzën e falsifikimit të vulës, pas denoncimit të bërë nga kryetari i Bashkisë së këtij qytetit, Kastriot Begaj. Prej kohësh, Begaj ka qenë në konflikt me të për shkak të emërimit të drejtorit të Ujësjellësit të qytetit. Një grup këshilltarësh kishin propozuar një emër të ri në vend të drejtorit aktual, por sipas kryetarit të Bashkisë, ky grup këshilltarësh ka marrë vendim dhe kanë krijuara bord pa miratimin e kreut të Bashkisë, duke manipuluar edhe vulën për emërimin e drejtorit të ri.
Për këtë arsye, më pas, kryebashkiaku Begaj ka bërë kallëzim në prokurorinë e Librazhdit për vjedhje të vulës së Bashkisë dhe falsifikim të dokumenteve pa firmën e tij. Ndërkohe burime nga policia thanë se nën hetim përveç Rrapush Bahitit, i cili tashmë është ndaluara, janë edhe disa anëtarë të tjerë të Këshillit Bashkiak të qytetit. I ndaluari Bahiti është njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale për Librazhdin.
19 Shtator 2008