E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpjekje ndërkombëtare për ekonominë globale



Bankat Qëndrore më të mëdha të botës po bashkojnë forcat për të mbajtur gjallë ekonominë globale, ndërsa problemet financiare vazhdojnë të godasin ekonominë amerikane. Banka Qëndrore e Shteteve të Bashkuara, Rezerva Federale, njoftoi se do të hedhë në tregje rreth 180 miliardë dollarë në një hap të bashkërenduar me bankat qëndrore në Kanada, Britani, Japoni, Zvicër si dhe Bankën Qëndrore Europiane. Ky hap ndërmerret, ndërkohë që çmimet e aksioneve ranë dje ndjeshëm. Indeksi “Nikei" i Tokios u mbyll me humbje prej mbi 2 për qind, ndërkohë që indeksi Hang Seng i Hong Kongut ra deri në 7 për qind në orët e para të mbasdite.
Trazirat financiare po ndikojnë edhe tek çmimet e naftës, i cili në Singapor ra në 96 dollarë për fuçi. Ndërhyrja masive e qeverisë amerikane për të marrë nën kontroll kompaninë më të madhe të sigurimeve në botë, Grupit Ndërkombëtar Amerikan, nuk e ka zbutur shqetësimin e investitorëve ndërsa bankat hezitojnë të japin hua. Një tjetër institucion financiar amerikan i goditur nga humbjet për shkak të mospagimit të huave, Uashington Mutual, njoftohet se ofron të shitet, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e pasigurisë në tregjet financiare amerikane.

PAKISTAN
Në një sulm ajror, vriten 5 ekstremistë
Nga një sulm ajror amerikan në veriperëndim të Pakistanit janë vrarë të paktën pesë ekstremistë, bën të ditur shërbimi i fshehtë pakistanez. Një përfaqësues i qeverisë në Islamabad tha se për sulmin është punuar bashkarisht mes Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kohëve të fundit ndërhyrjet amerikane në kufi me Afganistanin kanë shkaktuar shqetësime tek qeveria pakistaneze. Shefi i përgjithshëm i ushtrisë amerikane Mike Mullen theksoi se Shtetet e Bashkuara respektojnë sovranitetin e Pakistanit.

KINË
Arrestohen 12 persona për helmimin e foshnjave
Policia në Kinë ka arrestuar edhe 12 vetë lidhur me skandalin e helmimit të foshnjave me qumësht pluhur, nga i cili kanë vdekur tri foshnja dhe gjenden të sëmurë edhe mijëra të tjera. Këto arrestime e çojnë në 18 numrin e përgjithshëm të personave të arrestuar, ka thënë policia në provincën verilindore Hebei. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se se numri i fushnjëve të sëmuar është 6 244 nga të cilët 158 vuajnë nga sëmundja akute e veshkave. Inspektorët kanë gjetur lëndën helmuese industriale melamin, në qumështin e rreth 20 kompanive kineze.

JEMEN
Për sulmin kundër ambasadës amerikane arrestohen 19 vetë
Sipas raporteve të kanalit televiziv Al Arabia, me seli në Dubai, autoritetet në Jemen kanë arrestuar 19 vetë të dyshuar se kanë lidhje me sulmet kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Sana. Në incident u vranë 16 vetë, ndër të cilët edhe gjashtë sulmues. Sulmi vetëvrasës u krye me makinë bombë, me granata dhe me armë automatike. Asnjë shtetas amerikan nuk ka pësuar lëndime. Departamenti amerikan i shtetit, tha se sulmi ishte i ngjashëm me ato të stilit të al Kaidës, por zyrtarët amerikanë ende nuk kanë konkluduar se kush ka dorë në këtë sulm.

GJERMANI
Bundestagu zgjat mandatin e 3 misioneve të Bundesvehrit
Bundestagu gjerman dha dritën jeshile për pjesëmarrjen e mëtutjeshme të Bundesvehrit në tri misione të Kombeve të Bashkuara. Me shumicë absolute është vendosur për zgjatjen e mandatit të ushtrisë gjermane në bregdetin libanez, në jug të Sudanit dhe në rajonin sudanez të krizës Darfur. Misioni i marinës në bregdetin libanez shërben për pengimin e kontrabandës me armë përmes rrugës detare. Në Darfur trupat ndërkombëtare përkujdesen për respektimin e armëpushimit, ndërsa në jugun e Sudanit trupat ndërkombëtare kontribojnë në sigurimin e paqes pas luftës qytetare e cila zgjati mbi 20 vjet.

RUSI
Ligj për shënimin e kufirit në Arktik
Presidenti rus Dimitrij Medvedev ka bërë të ditur se Rusia do të miratojë një ligj për të përcaktuar territorin e saj në Arktik. Medvedev i ka thënë Këshillit të Sigurisë së Rusisë se Rusia ka nevojë që të sigurojë interesat afatgjate kombëtare. Pesë shteteve, që e kontrollojnë vijën bregdetare të Arktikut, Kanadasë, Rusisë, SHBA së, Norvegjisë dhe Danimarkës, u lejohet përdorimi i një zone ekonomike prej 320 kilometrash në veri të bregdeteve të tyre. Por, Rusia pretendon se ka juridiksion më të madh mbi Arktikun.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›