E Diel, 1 Nëntor 2026

Alo alo ambulanca, telefoni është i zënë

Mund të duket e çuditshme, por është e vërtetë! Në vitin 2009, kur shëndetësia duhet të zgjidhë problemet me reformat e shëndetësisë dhe me nivele "terciare", ende mbetet mbrapa me zgjidhjet e çështjeve të thjeshta, por shumë të rëndësishme, parësore. Kjo duke nisur nga sistemi i emergjencave. Urgjenca e Tiranës, ajo që pret e përcjell më pak njerëz sesa qendra spitalore universitare "Nënë Tereza", por që transporton të sëmurë nga njëri cep i kryeqytetit në cepin tjetër, ka probleme me bllokimin. Janë dy probleme madhore të urgjencës, bllokimi nga linja e telefonit dhe bllokimi nga trafiku, mbingarkesa e automjeteve në rrugë. Çdo ditë, në linjën në numrin e telefonit të urgjencës, në numrin 127 me celular dhe 2222235 fiks, qytetarët tallen dhe argalisen duke vënë muzikë, apo duke kërkuar shpjegime nga mjekët për çështje të caktuara.

"Janë më shumë se 100 telefonata çdo ditë, rreth 130 persona që marrin çdo 24 orë dhe tallen, bllokojnë numrin e urgjencës, apo vendosin muzikë", thonë mjekët. Sipas tyre, nga rastet e konfirmuara edhe me ndihmën e policisë, shumica e qytetarëve që tallen janë minorenë dhe jetojnë në zonat periferike.

Ndërkohë që, një pjesë tjetër nuk marrin mundimin fare të fshihen pas kabinave telefonike për të bërë lojëra të tilla fëmijërore, madje nuk kanë as frikë se policia mund të identifikojë numrin. Kështu, me qetësinë më të madhe marrin urgjencën, i thonë se janë të sëmurë, ndodhen rëndë në një nga lagjet periferike të Tiranës, duke kryer thirrjen nga numri personal në celular.

"Kohët e fundit, me rritjen e temperaturave presim rreth 50 pacientë në ditë, të cilët kryesisht kanë probleme me virozat e stinës. Vijnë për kontrolle të tensionit, për të bërë gjilpëra e serume, një pjesë tjetër vetëm transportohet për në qendrën më të afërt shëndetësore, apo për urgjencat e specializuara në spitalin "Nënë Tereza". Gjendje të fikëti, probleme me hipertensionin, me zemrën, me temperaturat e larta, apo edhe me diabetin janë kryesisht problemet për të cilat kujdeset urgjenca", shprehen mjekët e urgjencës.

Por "specialiteti" kryesor i tyre mbetet transporti me automjetin përkatës, nga shtëpia apo vendi ku ndodhet pacienti i sëmurë për në spital. Trafiku i rënduar, sidomos paradite dhe pasdite, në një kohë kur edhe shtimi i automjeteve nga mbërritja e emigrantëve, të cilët bëjnë xhiro dhe ecejake pothuaj gjithë ditën, shkakton rëndim të trafikut, për pasojë bllokimin e makinës së ambulancës me pacientin brenda. Rrugët dytësore apo hapja e krahut për ambulancën në këtë trafik mbetet e pamundur.

Prandaj, për vite me radhë mjekët dhe trupa mjekësore që punon në Urgjencë ka bërë kërkesa për gjetjen e një zgjidhjeje, si për përmirësimin e punës së tyre, ashtu edhe për gjetjen e një "formule" për shpejtësi veprimi, në momente tepër të vështira për pacientë me probleme serioze për jetën.

Sakaq, një shkelje e vogël që bëjnë mjekët e urgjencës, është trajtimi i pacientëve në shtëpi. Kjo procedurë nuk lejohet, megjithatë edhe nuk pengohet. Shpesh trupa e urgjencës, me të mbërritur te pacienti, i jep ndihmën e nevojshme, i kryen shërbimet në shtëpi, pa kryer transportin e nevojshëm për në qendrën shëndetësore.

Sakaq, pacientët shpesh herë kanë denoncuar edhe "përtesën" e ambulancës për të mbërritur në vendin e ngjarjes. Kjo, jo vetëm për skepticizmin e tyre është "sinqeritet" apo "tallje", por edhe për përgjegjshmëri në punë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›