E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipoja, pse duhet ta zgjedhim në verë

Me një pozicion gjeografik të favorshëm, ku në veri kufizohet me vijën bregdetare të Malit të Zi dhe në jug me Shëngjinin, shtrihet plazhi më i madh i veriut të Shqipërisë, ai i Velipojës. Me një pamje fantastike e një vijë bregdetare prej 12 km gjatësi dhe 300 m gjerësi rëre nga bregu, plazhi i Velipojës po bëhet një nga vendet më të frekuentuara për pushuesit jo vetëm vendas, por dhe ata kosovarë e të huaj. Në të majtë, pa hyrë në Shkodër, një rrugë e asfaltuar prej 25 km të shoqëron deri në brendësi të plazhit. Pas zhurmës së qytetit, e ngarkuar së fundmi dhe nga fushata elektorale, çdokush do ndihej i shkarkuar nga stresi i jetës së përditshme. Uji i kthjellët dhe rëra e plazhit të ofrojnë një pamje që nuk është larg reklamave që agjencitë turistike trumbetojnë për ofertat jashtë vendit. Këtë sezon turistik, plazhi i Velipojës mendohet të presë rreth 200 mijë pushues ditorë dhe rezidencialë. Në ndryshim nga vitet e tjera, turistët që do të zgjedhin Velipojën për të pushuar, do të gjejnë më shumë kushte në krahasim me vitet e tjera. Pastërtia e ujit dhe rërës, çmimet e mira, furnizimi 24 orë me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, janë këto disa nga arsyet kryesore që pushuesit të zgjedhin për pushime Velipojën.

Për sa u përket çmimeve, ato janë mjaft të leverdishme. Kështu, në zonën turistike të Velipojës, një dhomë e kuzhinë për 15 ditë kushton nga 25 mijë deri në 40 mijë lekë, çmimi ky mjaft i arsyeshëm po të krahasohet me zona të tjera turistike në vend. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Velipojës, Nikoll Marku, duke folur për gazetën "Shqip", shprehet: "Këtë vit pushuesit do të ndihen tepër komodë në të gjitha drejtimet. Komuna ka marrë të gjitha masat që u duhen pushuesve që nga pastrimi i plazhit, rendi dhe kujdesi mjekësor. Komuna ka marrë dhe po mban kontakte të vazhdueshme me Drejtorinë e Policisë së Qarkut për sigurimin maksimal të qetësisë. Po kështu kemi bashkëpunuar dhe me Drejtorinë e Spitalit Rajonal të Shkodrës për të garantuar shërbim mjekësor 24 orë. Ndërkohë premtojmë se do të kemi furnizim me energji elektrike dhe ujë të pijshëm gjatë 24 orëve. Të gjitha këto masa dhe investime që po bëhen, do ndikojnë që plazhi i Velipojës nga dita në ditë të marrë pamjen e një qyteti bregdetar. Nga të gjitha këto që kemi arritur dhe duke parë prenotimet e hoteleve dhe banesave, parashikojmë që këtë vit të kemi rreth 200 mijë pushues rezidencialë dhe ditorë. Piku më i madh do jetë padyshim gjatë muajve të korrikut dhe gushtit". Vitin e kaluar, plazhi i Velipojës u shpall nga Ministria e Mjedisit si plazhi me rërën dhe ujin më të pastër në bregdetin shqiptar. Nëse Velipoja do të kishte vëmendjen e shtetit me ndërmarrjen e investimeve serioze, atëherë do të konkurronte zonat turistike më të mira në Mesdhe. Plazhi i Velipojës, për nga lloji është tepër i veçantë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, pasi ka një vijë bregdetare dhe shtrirje ranore të konsiderueshme, që krijon hapësirën e mjaftueshme dhe të përshtatshme për zhvillimin e një turizmi bashkëkohor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›