E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spekulimi te nafta, zgjerohen hetimet

Ligjvënësit amerikanë kanë filluar të ushtrojnë presion për monitorimin dhe kontrollimin e tregut të kontratave të së ardhmes për naftën që shitet e blihet në Nju Jork dhe Londër, ndërkohë që fakte të reja dalin në dritë mbi spekulimin e dështuar për rritjen e çmimit të naftës që u krye javën e kaluar.

Kompania më e rëndësishme e tregtisë së naftës, "PVM Oil Associates", po akuzohet se ka shpërndarë informacione të pandershme për të mbështetur rritjen spekulative të çmimeve. Të martën e kaluar, çmimi i fuçisë së arit të zi u rrit papritur në 75 dollarë, kuota më e lartë e regjistruar këtë vit, por ra dy ditë më vonë në 65 dollarë. PVM denoncoi publikisht njërin prej agjentëve të saj më të respektuar për "veprime të paautorizuara" që krijuan një kërkesë të pazakontë në treg. Por të shtunën, u zbulua se në ditën e spekulimit, vetë kompania pati shpërndarë një njoftim te klientët e vet, duke paralajmëruar se "çmimet pritej të rriteshin". E njëjta kompani pati parashikuar saktësisht vitin e kaluar rritjen e pabesueshme të çmimit të naftës deri në 147 dollarë për fuçi. Vetë PVM tha të enjten e kaluar se ka humbur 10 milionë dollarë si pasojë e "veprimeve të paautorizuara" të agjentit të vet. Agjenti pati tregtuar në orën 2:00 të natës nga shtëpia e vet përmes internetit. Kompania e tij mohoi të kishte dijeni mbi spekulimet e punonjësit të vet.

Në anën tjetër të Atlantikut, ligjvënësit amerikanë po kërkojnë më shumë kontroll mbi këtë lloj tregtie, për shkak se besojnë se spekulantët në Londër i detyrojnë amerikanët të paguajnë më shtrenjtë naftën që konsumojnë. Sipas tyre, tregtarët janë përgjegjës për më shumë se gjysmën e tregtisë botërore të naftës që shitet përmes kontratave të së ardhmes. Ata mendojnë se "spekulimet e tepërta" duhet të ndalohen.

Muajin e kaluar, Carl Levin, një demokrat nga Miçigani, deklaroi se tregjet duhet të mbikëqyren për shkak se spekulimet shkaktuan rritje të paimagjinueshme të çmimeve të drithit vitin e kaluar, që nuk mund të shpjegohet me dinamikën e kërkesës dhe ofertës. Aktualisht, mbikëqyrësit e bursave në SHBA dhe Britani po bashkëpunojnë për të informuar njëri-tjetrin mbi rastet e spekulimeve, por kjo marrëveshje duket se nuk po funksionon.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›