Alonso: Ishim me fat
05/05/2005 Ksavi Alonso është i sigurt se Liverpuli e ka shijuar kalimin për në finalen e Stambollit, i shoqëruar me pak fat. Pavarësisht nga problemet e hasura në Premier Ligë, duket se në Evropë, skuadra e Benitez ka korrur një sukses të papritur, por edhe të merituar. Me golin e vetëm, të shënuar nga Luis Gsarsia, në minutën e 4-t, Liverpuli arriti të eliminonte me vështirësi Çelsin e Murinjos. Megjithatë, debati ishte rritur pikërisht me golin e shënuar nga Luis Garsia, ku topi i shqelmuar prej tij ishte larguar në mënyrë të dyshimtë prej Uilliam Galas. Edhe pse pamjet filmike nuk kanë mundur të japin një ide të qartë për golin e shënuar, ishin gjyqtarët ata që sinjalizuan golin si të rregullt. Ndërkaq Alonso, i cili ishte i skualifikuar për sfidën kundër Çelsit, ka theksuar se skuadra e tij përfitoi shumë nga një rast kaq i dyshimtë që i dhuroi golin e fitores. “Unë nuk jam i sigurt, nëse topi kishte kaluar vijën e portës apo jo- ka thënë Alonso. -Unë e pashë gjithë aksionin nga larg dhe ndoshta ky gol mund të identifikohej më mirë në pozicionin e gjyqtarit anësor. Ndoshta ishim me fat, sepse sidoqoftë dyshimi mbetej në këtë gol”.