E Hënë, 2 Nëntor 2026

Luis Garsia: Gol i rregullt

05/05/2005  Mesfushori spanjoll i Liverpulit, Luis Garsia, ka realizuar golin e tij të pestë për këtë sezon në Ligën e Kampioneve. Në këtë mënyrë, ai e ka dërguar Liverpulin në finalen e madhe të Stambollit që do të zhvillohet në datën 25 maj. Po ashtu, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë farë dyshimi, lidhur me golin e fitores së shënuar në minutën e 4-t. Në fakt, edhe përsëritjet e pamjeve televizive nuk dhanë një ide të qartë lidhur me këtë gol, ku topi i shqelmuar nga Luis Garsia, ishte spastruar mjaft shpejt nga mbrojtësi i Çelsit, Uilliam Galas. “Kur Milan Barosh ishte rrëzuar përtokë nga portieri, unë e vazhdova aksionin dhe shqelmova topin për të shënuar- ka thënë Luis Garsia. -E pashë se kjo gjuajtje ishte një gol i rregullt dhe për këtë ndihem shumë i kënaqur”. Portieri çek i Çelsit, Petr Çeh, u përplas me Barosh gjatë një aksioni të shpejtë, por gjithë pretendimet për një penallti të mundshme u hodhën poshtë, pasi gjyqtari kryesor, Lubos Mishel, sinjalizoi golin e mesfushorit spanjoll, si më se të rregullt. “Ishte një fitore tepër e rëndësishme për ne dhe mua, goli më dhuroi një kënaqësi të madhe- ka shtuar spanjolli. -Kur erdha këtu, mendoja se do të fitonim shumë trofe, por asnjëherë nuk e kisha menduar se do të shkonim deri në finalen e Ligës së Kampioneve, qysh në sezonin e parë. Nuk isha vetëm unë, ai që dhashë maksimumin në këtë sfidë, sepse të gjithë me kontributin e tyre merituan kalimin në finalen e madhe. Punuam shumë dhe morëm vetëm atë, çfarë dhamë. Kjo finale ishte përtej gjithë ëndrrave tona”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›