Sportingu “vuan” nga dëmtimet
05/05/2005 Ëndrra e Sportingut për të fituar kompeticionin e Kupës UEFA në shtëpinë e vet, duket se është ndëshkuar nga disa dëmtime të rëndësishme. Sulmuesi më i mirë për skuadrën portugeze, Mauricio Pinilla, nuk do të jetë i gatshëm për takimin e kthimit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Holandë, kundër Alkmarit. Sulmuesi kilian ka shënuar një gol spektakolar, duke i dhuruar Sportingut, kryesimin me rezultatin 2-1, në sfidën e parë të zhvilluar në Lisbonë. Po ashtu, ai kishte realizuar edhe tre gola të tjerë në takimin kundër Bragas, në kampionatin vendas përpara se të pësonte një dëmtim gjatë seancave stërvitore. Për skuadrën portugeze, nëse do të siguronte kalimin për në finale, duket se kundërshtari i radhës do të jetë CSKA e Moksës. Skuadra ruse ka arritur të barazojë pa gola në takimin e parë, të zhvilluar në Parma, duke u veshur me petkun e pretendentit, për sfidën e kthimit në Moskë. Megjithatë, dëmtimi i një sulmuesi si Pinila e ka vënë në alarm, skuadrën portugeze, e cila sidoqoftë nuk do ta ketë aspak të lehtë, për të prerë biletën e kalimit në finale kundër formacionit holandez të Ko Adrianses. Aktivizimi i sulmuesit kilian, duket se e ka zbehur disi kërcënimin e skuadrës së Peseiros, përballë “surprizës” holandeze. E megjithatë, skuadra e Adrianses do të ketë problemet e veta. Holandezët nuk do të kenë në dispozicion mbrojtësin e tyre titullar, Jan Kromkamp, i cili ka pësuar një dëmtim. Ndërsa, mesfushorët Lindenberg dhe Buskermolen do të mungojnë, si pasojë e skualifikimit. Nga ana tjetër, trajneri i Sportingut, Hoze Peseiro kishte lënë pushim dy lojtarë të rëndësishëm për skuadrën e tij, gjatë takimit të fundjavës kundër Bragas. Bëhet fjalë për dy brazilianët, Lidson dhe Rokembak. Ndërkaq në sfidën tjetër gjysmëfinale, duket se moskovitët do të zbresin në stadiumin e tyre, si favorit përballë Parmës. Skuadra e Pietro Karminjanit është ende në rrezik, për sa i takon luftës për mbijetesë në Serinë A dhe prandaj, verdheblutë do të jenë akoma të përqëndruar në sfidat e kampionatit. Në këtë mënyrë, Karminjani edhe në këtë takim pritet të lërë pushim, lojtarët e tij më të rëndësishëm, duke i kushtuar kështu rëndësi, luftës për të qëndruar në Serinë A. Nga ana tjetër, rusët kanë qenë të pamposhtur në tri sfidat e zhvilluara në shtëpi, gjatë këtij kompeticioni, ku nuk kanë pësuar asnjë gol nga skuadrat kundërshtare. Ndër të tjera moskovitët do të përforcohen prej rikthimit të mesfushorit rus, Aldonin, i cili ka lënë prapa periudhën e skualifikimit dhe sulmuesit kroat, Ivica Oliç. Trajneri i vendasve, Valeri Gazajev, ka deklaruar se skuadra e tij do të kalojë me çdo kusht në finalen e Lisbonës. “Ne asnjëherë nuk bëjmë dallime lidhur me faktin se cila ndeshje është më e rëndësishme- ka thënë Gazajev. Ne i vlerësojmë gjithë ndeshjet tona si të rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për kompeticionet evropiane”.