Murinjo: Humbën më të mirët
05/05/2005 Më në fund Hoze Murinjo ka arritur të pranojë humbjen e skuadrës së tij, në takimin gjysmëfinal të Ligës së Kampioneve kundër Liverpulit “inferior”. Megjithatë, ai ka theksuar se pavarësisht nga ky eliminim, lojtarët e tij do të mbeten “heronj të vërtetë”, për sa i takon suksesit të arritur deri më tani, si në Evropë edhe në Premier Ligë. Trajneri portugez ka mbetur mjaft i mërzitur prej fitores së Liverpulit në “Anfilld Roud”, po njësoj si edhe të gjithë lojtarët e Çelsit. Por, edhe kësaj radhe ai nuk mund të rrinte pa polemizuar mbi fitoren e Liverpulit. Murinjo ka ngelur i zhgënjyer prej vendimit arbitrar, lidhur me golin e shënuar nga Luis Garsia në minutën e 4-t. Komentet e para për Murinjon kanë qenë: “humbi skuadra më e mirë”. Ai nuk e ka “gëlltitur” mirë golin e realizuar nga mesfushori spanjoll, gjë e cila është përforcuar edhe nga mbrojtësi francez Galas, që ishte i pranishëm në momentin, kur hoqi nga vija fatale topin. Sipas Murinjos, gjyqtari anësor sllovak, Roman Slisko, ishte ndikuar nga turma e tifozërisë vendase, për të marrë vendimin e golit të rregullt. Por, sidoqoftë ai është ndjerë shumë krenar për atë, çfarë ka arritur deri tani skuadra e tij. Ai kurrsesi nuk mund ta harrojë suksesin e arritur në trofeun e Premier Ligës. “Sigurisht lojtarët e mi përsëri mbeten heronj të mëdhenj- ka thënë Murinjo. Ata kanë bërë diçka, të cilën asnjë klub futbolli nuk ka arritur ta realizojë në harkun kohor të 50 viteve. Pra, ata kanë fituar Premier Ligën. Për mua personalisht, ata mbeten heronj. Ne mund të humbasim edhe herë të tjera, por përsëri grupi ynë do të mbetet i fortë dhe i bashkuar. Për më tepër jam i sigurt se edhe lojtarët e mi kanë po të njëjtin mendim me mua. Lojtarët e mi meritojnë një ditë falenderimi në ‘Stemford Brixh’, nga ana e publikut. Kjo do të ishte një shenjë e pastër, ku tifozët do të tregojnë realisht se i kanë sërish në zemrat e tyre. Fitimi i titullit kampion është një gëzim i pamasë për gjithë londinezët blu”. Pavarësisht nga eliminimi në Ligën e Kampioneve, Murinjo nuk e ka humbur akoma sensin e besimit te vetja, duke deklaruar se e quan përsëri veten si një “njeri të veçantë”. “Padyshim që unë nuk kam ndërmend të ndryshoj nivelin e besimit te vetja, ka shtuar Murinjo. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantosh një sukses kaq të madh për skuadrën që drejton dhe publikun tënd. Në fakt, të gjithë lojtarët kanë mbetur mjaft të zemëruar me rezultatin. Gjithësekush reagoi sipas mënyrës së vet, ku Uilliam apo Arjen qajnë si të marrë, por sidoqoftë ata nuk janë më shumë të mërzitur se sa unë”.