Alonso: MekLareni nuk di të fitojë
Fernando Alonso nuk pendohet që është larguar nga MekLareni. Kjo pavarësisht faktit se gjatë këtij sezoni Renaulti nuk ka arritur t‘i sigurojë një makinë konkurruese. Megjithatë, dy herë kampioni i botës nuk pendohet që është larguar nga skuadra anglo-gjermane, madje i "shigjeton" në distancë. "MekLareni është një skuadër që ka pamjen e fitueses, por në të vërtetë nuk është e tillë", deklaroi Alonso për "Marca". "Ka marka që mund të ndërtojnë makina të mira, të shpejta, por që faktikisht nuk arrijnë të marrin frytet e punës së tyre. Ky është edhe rasti i MekLarenit. Në vitet e fundit ata nuk kanë fituar asnjë titull dhe për këtë arsye jam i lumtur që u ktheva te Rono, që përveç dy titujve të mi për pilotë ka fituar edhe dy tituj botëror për konstruktorë". Më tej, Alonso ka folur rreth zgjedhjes së bërë në fillim të kampionatit: "Mund të kisha shkuar te ndonjë skuadër tjetër, por Renaulti m‘u duk zgjedhja më e mirë". Për sa i përket të ardhmes, piloti ka theksuar se "bashkëjetesa" mund të vazhdojë nëse skuadra franceze do t‘i sigurojë një makinë konkurruese: "Vitin e ardhshëm dua të garoj për një skuadër që mund të luftojë për titullin. Në këto momente mund të them se e shoh veten sërish te Reno, pasi kemi hedhur pas shpine disa probleme dhe kjo na lejon që për sezonin e ardhshëm të bëjmë një hap përpara".