E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve, me objektivin Champions

Në sprintin final të sezonit, Juventusi ka përpara edhe pak pengesa për t‘u rikthyer në futbollin e rëndësishëm, në Ligën e Kampioneve. Pas dy vitesh ku bardhezinjtë e kanë ndjekur aktivitetin më të rëndësishëm për klube në Evropë vetëm nëpërmjet televizorit, duket se ka ardhur momenti që ata të jenë sërish protagonistë. Në këtë kontekst, sfida që do të luhet në "Olimpikun" e Torinos kundër Milanit merr një rëndësi të dyfishtë. Në rast fitoreje, Juventusi mund të "blindojë" vendin e tretë në kampionat dhe të ndihet me një këmbë në Champions. "Nuk e di nëse fitorja jonë do të eliminonte Milanin nga gara për një vend në Ligën e Kampioneve, deklaroi Ranieri. Varet nga rezultatet që do të marrin edhe skuadrat e tjera. Megjithatë, është e sigurt që 3 pikët do të ishin një avantazh edhe më i madh për të hyrë në Evropë. Duhet të dimë të mbrojmë pozicionin tonë. Milani ka marrë shumë pikë jashtë fushës së tij, janë kampionët e Evropës dhe të botës dhe m‘u dukën në formë të mirë kundër Kaljarit. Edhe ne jemi mjaft mirë në aspektin fizik. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme". Gjithsesi, rezultati final nuk do të jetë deciziv për ambiciet e Juventusit, që do të njihet më mirë me fatin e saj në ditët në vazhdim: "Përpara kemi këto tri ndeshje (me Milanin, Parmën dhe Atalantën), e më pas vjen sprinti final. Skuadra ka treguar forcën e saj, tashmë duhet të shohim se do të paraqitemi në këto javë të fundit". Kundër kuqezinjve, skuadra e Ranierit ka avantazhin se luan për dy rezultate nga tre që janë në lojë: "Mendojmë për veten tonë, nuk shohim se çfarë bëjnë të tjerët. Synimi i këtij Juventusi është që ta mbyllë kampionatin sa më lart, e nuk duam që skuadra të ketë rënie psikologjike apo të luajë pa motivimin e duhur. Deri në mbylljen e Serisë A duhet të paraqitemi të maksimumin tonë... kush luan te Juventusi e ka të qartë se duhet të japë gjithmonë 100 për qind. Kjo vlen si për lojtarët e mëdhenj, ashtu edhe për të tjerët". Në fund, tekniku ka pohuar se "mendoja se mund të bënim diçka më shumë. Kur fillon një projekt synon gjithmonë të marrësh maksimumin. Besoja se mund t‘i shqetësonim edhe më shumë të mëdhatë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›