E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alonso gati per garen ne Monza

Fernando Alonso u përfshi në një aksident të frikshëm në Çmimin e Madh të Blegjikës, që u fitua nga Xhenson Baton, e mgjithatë mbetet në krye të klasifikimit për pilotë të Botërorit të Formula 1. Alonso ka 20 pikë më shumë se gjermani Sebastian Fetel me Red Bull dhe kërkon revansh në Çmimin e Madh të Italisë që do të zhvillohet të dielën.

“Gara në Monza ndoshta vjen në kohën më të mirë për ne, pasi kjo mund të cilësohet si gara më e rëndësishme sezonale për Ferrarin”, tha piloti spanjoll nga selia e “kokëkuqes” në Maranelo.

“Garojmë në shtëpi, kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët e Ferrarit dhe historikisht kemi qenë shumë konkurrues në Monza. Jemi shumë të motivuar që gjatë gjithë kësaj fundjave të paraqitemi sa më mirë”, shtoi Alonso.

Dy herë kampioni i botës është gati të zbresë në pistë pavarësisht aksidentit të frikshëm që u shkaktua nga Groszhan me Lotus, ndërsa të gjithë ishin të frikësuar për gjendjen shëndetësore të iberikut. Kjo është pohuar edhe nga drejtuesi i skuadrës Ferrari, Stefano Domenikali.

“Fernando mund të kishte pësuar dëmtime të rënda nga ai aksident dhe u lehtësuam kur pamë që ai ishte mirë dhe nuk kishte asnjë problem. Tashmë alonso duhet të përqendrohet te lufta për titullin botëror, pasi kampionati mbetet në duart tona”, deklaroi Domenikali.

Në garën e Monza-s, Ferrari duhet të rivalizojë mbi të gjtiha me MekLarenin, që ka fituar dy garat e fundit në Formula 1, ndërsa dueli për vendin e parë në cirkuitin më të shpejtë sezonal pritet të jetë mjaft i zjarrtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›