E Shtunë, 31 Tetor 2026

US Open protagonist behet shiu

Shiu bëhet protagonist absolut në turneun e tenisit “US Open 2012”. Gjashtë ndeshjet e programuara për tu zhvilluar në ditën e nëntë të aktivitetit u ndërprenë për shkak të reshjeve, ndërsa katër prej tyre u shtynë me të paktën 24 orë.

Në turneun për meshkuj, e vetmja sfidë që u mbyll u shoqërua nga kualifikimi i David Ferrer në çerekfinalet e “Grand Slam”-it të fundit sezonal. Spanjolli triumfoi përballë francezit Riçard Gaske në tre sete me rezultatin 7-5, 7-6, 6-4, pas një dueli që zgjati 2 orë e 43 minuta. Për tu theksuar është fakti që ndeshja u ndërpre për mbi tre orë për shkak të shiut.

Në çerekfinale, Ferrer do të përballet me fituesin e përballjes ndërmjet Tipsareviç dhe Kolshrejber, sfida e të cilëve u ndërpre kur serbi kryesonte 5-2. U ndërprenë edhe duelet ndërmjet Gjokoviç e Uavrinkas me numrin 2 të botës që kryesonte 2-0 dhe ndeshja ndërmjet Rodik e Del Potros kur tenistët ishin në barazim 6-6.

Në turneun për femra, Viktoria Azarenka është e para që kualifikohet në gjysmëfinale. Bjellorusja, e cila është numri 1 në klasifikimin botëror, fitoi duelin e vështirë me australianen Samantha Stosur, pas tre seteve që zgjatën 2 orë e 23 minuta.

U ndërpre dueli ndërmjet Maria Sharapovas dhe Bartolit, ndërkohë që kjo e fundit po fitonte me rezultatin 4-0 në setin e parë. Sot në fushë do të zbresin Sara Errani kundër Roberta Vinçit dhe Ana Ivanoviç e Serena Uilliams.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›