Dëmtohen 18 shtëpi në fshatin Trevllazër
Erozioni
Shkarja e dheut ka nisur që në vitin 2005, por nuk janë marrë masa
Shkarja e dheut në mijëra metër kub rrezikon seriozisht 18 banesa në fshatin Trevllazër të Rrethit të Vlorës. Fenomeni ka nisur që në vitin 2005, ndërkohë që vetëm në 48 orët e fundit shkarja ka qenë e madhe, duke alarmuar banorët e zonës. Sipas autoriteteve lokale, 18 banesa të cilat rrezikohen seriozisht nga shkarja e dheut dhe banorët e tyre nuk mund të qëndrojnë më në to. Janë rreth 100 frymë, që tashmë mund të konsiderohen të pastrehë dhe kërkojnë ndihmë nga autoritetet për të gjetur një zgjidhje. Shtëpitë e tyre janë plasaritur për shkak të lëvizjes së dheut, duke u bërë të pabanueshme. Banorët janë të ndërgjegjshëm se shteti nuk ka mundësi t’i ndihmojë me gjithçka u nevojitet, ndaj kërkojnë ndihmë të pjesshme dhe mundësi jetese në një tjetër truall, ku terreni të mos u rrëshqasë nën këmbë. Nga ana tjetër, kreu i Komunës Novoselë nën juridiksionin e së cilës është ky fshat, shpjegon se situata është rënduar dy ditëve të fundit dhe moti i keq do të sjellë pasoja edhe në ditët në vijim. Ai sqaron se komuna do të nisë një studim dhe do të kërkojë transferim trojesh për këta banorë, me qëllim që të kenë mundësi për ndërtim në një tjetër vend. Kreu i Komunës Novoselë, Rahit Llanaj, sqaroi për “Shqip” se problemi ka qenë i hapur prej vitit 2005 dhe ka pasur një plan masash që nuk është vënë në zbatim.
#