Alpha Bank, 13.2 milionë euro fitime
Ky vit duket se ka qenë shumë i mbarë për "Alpha Bank". Kjo bankë operon në tregun vendas, që prej 10 vjetësh dhe sot ka shtrirë rrjetin e saj të degëve e të kanaleve të tjera alternative si për shembull bankomate, në të gjithë vendin. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të muajit shtator fitimet e kësaj banke kanë arritur në 13.2 milionë euro. Gjatë këtij harku kohor aktivet u rritën me 36,6 për qind, huatë u rritën me 58,5 për qind, depozitat me 31,4 për qind duke arritur ne 427 milionë euro. "Alpha Bank" ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri që nga viti 1998 dhe që prej këtij viti ajo ka qenë një partner i fuqishëm në zhvillimin e vendit. Madje, kjo bankë ka financuar shumë projekte madhore, si rruga Durrës-Kukës-Morinë, ku "Alpha Bank" në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ka financuar ndërtimin e seksionit Rrëshen-Kalimash. Një tjetër projekt i financuar nga kjo bankë ka qenë edhe ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza". Sot, kjo bankë operon në 40 degë në të gjithë vendin. Ajo ka një rrjet të gjerë ATM (bankomatesh) dhe një rrejt të gjere pikash shitjesh (PoS). "Alpha Banka" numëron rreth 360 punonjës dhe prioriteti i saj është zgjerimi i mëtejshëm i veprimtarisë së bankës sidomos në veprimtarinë bankare me pakicë sidomos për kartat e kredisë. Alpha Bank është lëshuesja e shumë kartave të kredisë dhe gëzon të drejtën ekskluzive të lëshimit të American Express-it. Që nga dita e parë e aktivitetit të saj qëllimi i "Alpha Bank-Albania" ishte prezenca e madhe e një banke të huaj në tregun vendas me një rol të rëndësishëm në zhvillimin jo vetëm të sistemit bankar, por gjithashtu të gjithë vendit. Objektivi kryesor mbetet rritja e pjesës së tregut, si dhe renditja në kreun e listës së bankave në Shqipëri. "Alpha Bank" e themeluar në 1879 është një nga bankat më të mëdha në Greqi. Me një rrjet prej 946 degësh (409 degë në Greqi), "Alpha Bank Group" është gjithashtu aktive në tregun ndërkombëtar bankar, me prezencë në gjithë Evropën Juglindore, në Qipro si dhe Nju Jork, Londër dhe Nju Xhersi.