Kazinotë, Basha abstenon dhe përplaset me Topallin
Ligji i Kazinove ka vënë përballë për herë të parë kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Dy përfaqësuesit e lartë të maxhorancës qeverisëse janë përplasur për një nen të ligjit për Kazinonë. Basha ka abstenuar nenin 26 të projektit të qeverisë dhe ka mbështetur amendimin e një grupi deputetësh, kur vetë ai ishte firmëtar. "Zoti Basha abstenon, bravo, mirë z.Basha. Mendimin e qeverisë abstenon ministri i saj, z.Basha", i është drejtuar Topalli. Pika c e nenit 26 kishte të bënte me heqjen e videolotarive nga licencat kombëtare. Kjo më pas ka sjellë reagime nga ana e opozitës, të cilët i kanë kërkuar Topallit që të mos të ndikojë në votën e deputetëve, pasi Basha ishte firmëtar i amendametit. Qeveria hodhi poshtë tre amendamentet e opozitës për ligjin e Kazinove, duke i cilësuar si jo të drejta dhe klinteliste. Propozimet e PS-së ishin që rritej mosha e personave që kanë të drejtën të frekuentojnë kazinotë dhe lotaritë e basteve, e dyta konsistonte në rritjen e taksës për licencat e kazinove në rrethe, duke e bërë në 1 miliard lekë, të njëjtë me Tiranën. Ndërsa propozimi i tretë lidhet me uljen e taksave për shoqëritë e basteve, të llogaritura mbi bazën e xhirove. Ministri i Financave, Ridvan Bode ka shprehur qëndrimin e tij për votuar variantin e qeverisë. Përsa i përket propozimit për lejimin e shoqatës së të verbërve, nuk i përjashton nga kjo nismë. "Ne kërkojmë që licencimi i kazinove të jetë 1 miliard lekë në zonat turistike, kur Durrësi është 20 kilometër larg Tiranës. Ndërsa ministri e lë 3 miliardë lekë të vjetra. Nuk e di në është në dijeni ministri që në Durrës, në vilën e tij po ndërtohet një kazino", replikoi socialisti Braçe. Pas refuzimit të amendamenteve të PS-së, socialistët bojkotuan seancën. Ligji i kazinove në tërësi u votua me 72 vota pro, 3 kundër (Bejtaj i PSD-së, Dule dhe Peçi të PBDNJ-së), ndërsa Hushi abstenoi me votën e tij.