Vranë kunatën mbi varrin e burrit, pranga pas 11 vitesh
Ekzekutuan kunatën mbi varrin e vëllait, prangosen pas 11 vitesh. Policia e Shtetit bëri të ditur zbardhjen e një krimi të '97-ës nga ana e Drejtorisë së Dibrës e Komisariatit të Burrelit dhe arrestimin e dy autorëve të tij. Me urdhër të Prokurorisë u vunë në pranga Bujar Bucin, 41 vjeç, lindur në fshatin Vig dhe banues në Burrel si dhe Ylber Karajn, 45 vjeç, lindur e banues në fshatin Shëlli. Ata akuzohen se më 23 qershor 1997 ata kanë vrarë me armë zjarri në fshatin Vig të rrethit të Matit shtetasen Zinete Buci. Më 19 qershor 1997, në rrethana krejt të paqarta gjendet i vdekur në banesën e tij Rustem Buci, 39 vjeç, babai i dy fëmijëve. Vëllezërit dhe të afërmit organizojnë ceremoninë mortore në fshatin e lindjes, Vig të komunës Macukull. E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe bashkëshortja e Rustemit, Zinete Buci dhe prindërit e saj, të cilët kishin udhëtuar nga Korça në drejtim të fshatit malor të Matit. Tre ditë pas varrimit të Rustem Bucit, vëllezërit e tij hedhin dyshime se Zinetja kishte dorë në ekzekutimin e vëllait të tyre. Kur kishin kaluar vetëm pak ditë nga varrimi i Rustemit i thonë Zinetes, se duhet të shkonte bashkë me ta për të vendosur lule mbi varrin e burrit të saj. Mirëpo pikërisht teksa ajo qëndronte mbi varrin e të vdekurit mbi trupin e saj derdhen disa plumba që i marrin jetën në vend. Një gropë e hapur paraprakisht për të ka shërbyer si varr. Policia tha se gruaja është hedhur aty siç ishte, me rrobat që mbante në ceremoninë mortore. Askush nuk ka kryer ceremoni mortore për gruan e ekzekutuar mbi varrin e bashkëshortit të saj. Disa ditë pas vrasjes janë vënë në dijeni prindërit e Zinetes në Korçë. Këta të fundit kanë kërkuar nga policia dhe Prokuroria e Burrelit të zbardhë të vërtetën, mirëpo çështja mbeti pezull, pa autor.
Plot 11 vjet pas vrasjes së Zinete Bucit organi i akuzës në Rrethin e Matit ka nisur të rihetojë dosjen e pezulluar për mungesë provash. Burime të sigurta pranë Prokurorisë së Matit pohojnë se prokurori Sabri Kastrati dhe kolegë të tij vazhdojnë të hetojnë intensivisht dosjet e ngjarjeve të vjetra, madje dhe ato të vitit 1997. Mësohet se organi i akuzës ka kryer përgjime telefonike dhe ka siguruar shumë dëshmi që faktojnë se Bujar Buci, kunati i Zinetes dhe Ylber Karaj, djali i dajës së tij, janë dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Zinete Bucit. Ndërkohë, nuk mohohet fakti se Prokuroria e Burrelit ka rinisur hetimet edhe për zbardhjen e vrasjes së Rustem Bucit, bashkëshortit të Zinetes, të cilët prehen pranë njëri-tjetrit në varrezat e fshatit Vig.