E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode-Malaj, replika për çmimin e karburanteve

 

Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri janë bërë objekt i debateve në seancën e parlamentit ndërmjet Ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe deputetit socialist Arben Malaj. Për socialistët, qeveria duhet të ndërhyjë në uljen e çmimit në tregun shqiptar. Ish-ministri i Financave, Malaj, akuzoi qeverinë se po favorizon monopolin në tregun e karburanteve, duke e argumentuar këtë me ecurinë e çmimeve në tregun vendas që nuk e kanë reflektuar uljen në bursa. "Duket që jeni të kapur dhe jeni te pjesa kriminale. Nuk dihet në është monopol, korrupsion, kontrabandë apo thesi i hapur i fushatës elektorale", u shpreh Malaj. Menjëherë ka marrë fjalën ministri Bode, i cili ka bërë të ditur se qeveria nuk do të ndërhyjë në çmimin e tregut të karburanteve. "Nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe as ka për të ndodhur që një qeveri e djathtë liberale të merret me përcaktimin e çmimeve në treg. Meqë kujtoni se ka fitime të mëdha, mund të futeni në treg dhe t'i merrni ju ato që i quani fitime të padrejta të biznesit", deklaroi Bode. Sipas tij, ka marrë fund koha, kur "qeveritarët socialistë ndërhynin në vendosjen e çmimit të tregut, duke penalizuar firmat që nuk janë pjesë e klanit të tyre". Disa javë më parë, Autoriteti i Konkurrencës nisi zyrtarisht edhe një hetim për këtë çështje, nëse situata në karburante është monopol ose jo në Shqipëri. Përfundimet e këtij hetimi ende nuk janë bërë publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›