Greqia: Do ratifikojmë MSA
MARKO CAKA
Athina zyrtare reagon pas kërkesës së OMONIA-s për të mos ratifikuar MSA-në me Shqipërinë, në këmbim të dhënies së statusit të autonomisë për Vorio-Epirin. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Jorgo Kumucaku tha në një prononcim ekskluziv për gazetën "Panorama" se pretendimet e Bollanos janë absurde dhe ato nuk do të merren në konsideratë nga Greqia. Duke folur gjatë punimeve të samitit të Brukselit, Kumucaku tha për gazetën se "Në asnjë mënyrë Greqia nuk do të ndikohet nga pretendimet absurde të zotit Bollano, por ne së shpejti do të firmosim ratifikimin MSA-se të Shqipërisë me BE-në". Madje ai tha se brenda Krishtlindjeve, Greqia do të ratifikojë në Kuvend dokumentin mes Shqipërinë dhe Bashkimit Evropian, duke shtuar se vonesat kanë ardhur pas gjendjes së rënduar në vend. "Madje të garantoj se për pak ditë, e shumta deri në Krishtlindje, parlamenti grek do të ratifikojë MSA-në me Shqipërinë. Dhe kjo vonesë do të ndodhë vetëm për shkak të programit të parlamentit grek në lidhje me situatën në vend, por aspak nga ndikime të tjera si dhe të pretendimeve të kryetarit të OMONIA-s, zotit Bollano. Firmosja e ratifikimit të MSA së Shqipërinë me Bashkimin Evropian nga ana jonë është një akt që do të kryhet shumë shpejt dhe që nuk ka vend për diskutim", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke. Organizata e minoritetit grek, OMONIA i kërkoi zyrtarisht Greqisë të mos e ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Përmes një memorandumi, drejtuar më 25 nëntor Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, kjo shoqatë apelon domosdoshmërinë e plotësimit të shtatë kushteve nga Tirana zyrtare, para se Athina t'i japë "OK"-in hyrjes së saj në familjen evropiane. Në thelb, kërkesa bazë e OMONIA-s, kryetar i së cilës është kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, është dhënia e autonomisë për Vorio-Epirin. Në memorandumin drejtuar Athinës zyrtare, OMONIA pretendon pikësëpari që Shqipëria të njohë si zonë minoritare pothuajse gjithë jugun e vendit, të banuar sipas saj, qysh para 3 mijë vjetësh nga grekët etnikë. "Të njihen zyrtarisht si zona të minoritetit, ato zona të cilat pala shqiptare nuk i njeh të tilla si për shembull, Saranda, Gjirokastra, Himara, Delvina, Korça si edhe 99 fshatra përreth tyre", kërkon OMONIA. Lidhur me këtë memorandum të kësaj organizate, reagoi dy ditë më parë edhe kryeministri Sali Berisha. Ai e quajti këtë qëndrim si një klithmë ekstremiste, që nuk do të merret në konsideratë nga Athina zyrtare. "Qeveria greke nuk ndikohet nga klithma ekstremiste ngado që t`i shkojnë ato. Është një qeveri demokratike, një qeveri që punon dhe ka faktuar se punon për marrëdhënie miqësore dhe normale me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit", u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i ekzekutivit deklaroi se të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri kanë përbërë për qeverinë shqiptare një përmirësim madhor dhe ka shumë vendime, të cilat nuk janë marrë nga vende të tjera të rajonit, siç janë marrë nga Shqipëria në favor të minoriteteve..
Leka Zogu: OMONIA,forcë antikushtetuese
Oborri mbretëror reagoi ashpër dje ndaj kërkesës së Omonias për të shpallur autonominë në gjithë Vorio-Epirin. Në një deklaratë për shtyp të pretendentit për fronin mbretëror thuhet se "Kjo bukëshkalje e përsëritur dhe e përhershme, tashmë nga "Omonia" është shndërruar në konstante politike shoviniste dhe po përdoret për të penguar proceset integruese të Shqipërisë, nëpërmjet shfrytëzimit të votës miratuese të Greqisë si vend anëtar i BE, në këmbim të Autonomisë së Vorio-Epirit, pra në kahje të kundërt me aspiratat integruese rajonale, evropiane e globale". Sipas Oborrit "këto deklarata, akte dhe qëndrime politike qysh në fillim të krijimit të "Omonia"-s në vitin 1991 si "Shoqatë kulturore...", e pozicionojnë pambarimisht këtë shoqatë në një forcë të mirëfilltë politike antikushtetuese, në kundërshtim me statutin e saj juridik të miratuar asokohe, dhe e zhbëjnë atë ligjërisht me vetëpërjashtimin si subjekt mirëfilltazi antikushtetues".