Ministri Ruli: Do ndërtojmë TEC me qymyr
Qeveria po shikon mundësinë e ndërtimit të një termocentrali me qymyr importi. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Ministrisë së Energjetikës Genc Ruli, gjatë Konferencës së 5-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë. Ministri Ruli ka renditur listën e projekteve energjetike që ka Shqipëria, ku përveç ndërtimit të linjave të interkonjeksionit dhe HEC-ve ka dhe projekte për prodhimin alternativ të energjisë. "Ka projekte të karakterit kombëtar që kanë impakt në sektorit tonë energjetik, por edhe në atë ndërkombëtar dhe rajonal. Së pari, janë linjat e interkonjeksionit, ku ne kemi vënë si projekte parësore linjën me Kosovën, Maqedoninë dhe atë me Italinë. Gjithashtu, janë edhe projektet e mëdha të hidrocentraleve, që janë në proces si ai i Skavicës dhe për fazën përmbyllëse të kontratës për kaskadën e Devollit, por edhe projektet e prodhimit alternativ të energjisë, që ne po shohim siç është mundësia e ngritjes së një Termocentrali të madh të teknologjisë moderne me qymyr importi", ka deklaruar ministri. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm të Transportit dhe Energjisë në Bashkimin Evropian Fabrizio Barbaso, tha se Komisioni Evropian ka prezantuar studimin e 2-të strategjik për energjetikën, ku sintetizohen objektivat për vitet e ardhshme. Lidhur me zhvillimet e fundit të politikës së Bashkimit Evropian për energjetikën, Barbaso u shpreh se "prioriteti i parë ka të bëjë me miratimin dhe zbatimin me shpejtësi të masave, të cilat synojnë arritjen e objektivave të energjisë, që kanë të bëjnë me uljen me 20 % të çlirimit të gazrave karbonikë në atmosferë dhe 20 % kursim të energjisë brenda vitit 2020". Por gjatë konferencës së djeshme nuk u lanë pa përmendur projektet e qeverisë për ndërtimin e një centrali bërthamor. Për përfaqësuesin e BE-së , Komisioni Evropian nuk është se merr një qëndrim për vendimin e ndërtimit të një centrali bërthamor apo për një central me lëndë të tjera djegëse. "Shqetësimi ynë kryesor është se kur një vend fillon të përgatitet për të ndërtuar një central bërthamor duhet që të përmbushë standardet më të larta në fushën e shëndetit dhe të sigurisë publike, që janë standarde të publikuara nga Agjencia Ndërkombëtare Atomike, si dhe standardet e BE-së", tha ai. Sipas tij vetëm një javë më parë Komisioni Evropian ka propozuar një direktivë të re, e cila propozon fuqizimin e parimeve për rritjen e sigurisë në lidhje me përgatitjen e ndërtimit të centraleve bërthamore. "Duke qenë se prioriteti i politikës së jashtme të Shqipërisë është anëtarësimi në BE, atëherë ne do ta mirëprisnim nëse këto standarde do të zbatoheshin nga ky vend qysh në fillim të ndërmarrjes së një aktiviteti në fushën e energjisë bërthamore", ka theksuar Barbaso.