E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazet, do pranohen vetëm mësues me master

 

zirina llambro

Mastera e kualifikime të tjera pasuniversitare për mësuesit e shkollave të mesme. Ky do të jetë kushti kryesor për punësimin e tyre. Ministria pranon ndryshimet që do të vihen në zbatim që nga viti që vjen. Projektdrafti i ri që po hartohet nga specialistët,  do të saktësojë edhe kriteret e tjera që duhet të plotësojnë arsimtarët. "Është përcaktuar se një mësues, veç diplomës universitare, duhet të zotërojë edhe kualifikimin master. Kjo si  për ata që janë diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar ashtu edhe për të diplomuarit sipas kartës të Bolonjës", sqaron MASH. Sipas saj, kriteret e reja do të jenë në vartësi të vjetërsisë dhe kualifikimit, në mënyrë që të rritet cilësia e mësimdhënies. Nga sa përcaktohet në draftin e ri, mësuesit që kanë nivelin më të ulët të kualifikimeve, veç shkollës së lartë, do të japin mësim në vitet e para. Ata që kanë master do të japin mësim në vitin e dytë dhe ata që kanë nivelin më të lartë të kualifikimeve do të japin mësim në vitin e tretë. Në vartësi të këtij përshkallëzimi do të jenë edhe pagat e mësuesve. Caktimi i viteve ku do të japin mësim, do të bëjë diferencimin në këtë drejtim. "Rishikimi i kritereve të punësimit të mësuesve është pjesë e reformës që po ndërmerret në arsimin parauniversitar. Në të kualifikimi i konsiderohet për të tretin vit një hallkë e rëndësishme që na afron me skemat e vlerësimit që aplikohen në vendet perëndimore. Kjo formë nxit mësuesin për të përmirësuar aftësitë profesionale, dhe nga ana tjetër, e motivon atë edhe financiarisht", shprehen specialistët e ministrisë. Sipas tyre, vetëm duke pasur një staf të përgatitur mirë në të gjithë vendin mund të rritet cilësia e dijeve që marrin nxënësit. "Zbatimi i  parimit të meritës, përmes një testimi kombëtar të mësuesve me procedura mjaft rigoroze tregon se është kapërcyer e kaluara dhe po përmbushen standardet", sqaron MASH. Drafti është ende në fazën e parë të hartimit të tij. Për ta plotësuar siç duhet,  specialistët po zhvillojnë takime, për të marrë mendimet dhe sugjerimet e grupeve të interesit. Paskësaj ai do marrë formë ligjore.

Mësuesit me tituj,pas shtesës në pagë

Prej tre vitesh mësuesit i nënshtrohen testimit për të përfituar shtesën në pagë dhe shkallën e karrierës. Aktualisht, këto të fundit janë me numra, në vartësi të viteve të punës. Kështu, shkalla e tretë e karrierës përkon me punën si arsimtar nga 5 deri në 9 vjet, shkalla e dytë e kualifikimit nga 10 deri në 19 vjet dhe shkalla e parë, nga 20 e më shumë vjet. Një tjetër hallkë e reformës, që ende nuk ka nisur zbatimin, është edhe vendosja e titujve për mësuesit. Kështu, mësues fillestarë do të jetë titulli i mësuesve, të cilët sapo kanë marrë diplomën universitare të mësuesisë, ndërsa për shkallët e sipërpermendura do të jenë përkatësisht: "Mësues", ose "mësues i licencuar" për shkallën e tretë, "mësues specialist" për shkallën e dytë dhe "mësues mjeshtër" për shkallën e parë. Pas titullit mësues mjeshtër, mësuesi do të ketë detyrimin të ndjekë disa module që kanë të bëjnë me të rejat e domosdoshme shkencore të mësimdhënies-mësimnxënies.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›