Alpha Bank feston 10-vjetorin në Shqipëri
Alpha Bank festoi dje 10-vjetorin e veprimtarisë së saj në Shqipëri. Në këtë eveniment, të mbajtur në "Sheraton Hotel", ishin të pranishëm shumë klientë dhe miq, të cilët u pritën ngrohtësisht nga Presidenti i Alpha Bank Group, Yannis Costopoulos dhe Drejtori i Alpha Bank - Albania, Andreas Galatoulas. Në këtë eveniment morën pjesë gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank, Demetrios P. Mantzounis, Drejtori, Spyros N. Filaretos, Drejtori Ekzekutiv, Christos Ch. Giampanas dhe zyrtarë të tjerë të Bankës. Në eveniment merrte pjesë Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Gjithashtu, mori pjesë në këtë pritje edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Fortlumturia e Tij Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Profesor Anastasi. Presidenti i Alpha Bank Group, Costopoulos ju drejtua pjesëmarrësve duke thënë se "ne kemi arritur të bëhemi protagonist të zhvillimit të Shqipërisë me një zgjerim të madh të aktivitetit tonë, duke i besuar kushteve pozitive të mjedisit makroekonomik shqiptar, inflacionit të ulët dhe stabilitetit monetar". "Dëshiroj të falënderoj autoritetet shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e tyre gjatë këtyre viteve dhe premtoj se 10 vitet e ardhshme do të jenë po kaq të suksesshme sa ato që shkuan" - deklaroi Costopoulos. Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank - Albania, Galatoulas i uroi mirëseardhjen të ftuarve duke i falënderuar për besimin dhe mbështetjen ndaj "Alpha Bank" në gjithë këto vite, si dhe përgëzoi punonjësit e Bankës për përkushtimin dhe punën e tyre gjatë këtyre 10 viteve. Kjo ka bërë që banka të arrijë rezultate shumë të mira. Alpha Bank - Albania që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri në vitin 1998, ka qenë një partner i fuqishëm dhe dinamik në zhvillimin e vendit. Shumë projekte me karakter kombëtar, siç janë ndërtimi i seksionit Rrëshen-Kalimash, i rrugës kombëtare Durrës-Morinë dhe ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza", janë financuar nga Alpha Bank-Albania, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare. Alpha Bank - Albania operon sot në 40 Degë në të gjithë vendin, në Tiranë dhe rrethe. Prioriteti i parë është zgjerimi i mëtejshëm i veprimtarisë së bankës në të gjithë vendin dhe ofrimi i produkteve dhe shërbimeve, sipas nevojave të klientëve të saj. Numri i punonjësve të Alpha Bank-Albania është rreth 360.