Pinjollët e hartuesvetë alfabetit, rrugëtim drejt Manastirit
Alma Mile
“Edhe nëse do të më vrisni, vramëni, por më ruani gjakun, sepse do t’u duhet bijve dhe nipërve tuaj për të shkruar gjuhën shqipe”. Kështu tha dikur Petro Nini Luarasi. Ai ishte një nga të 50-ët e Kongresit të Alfabetit të mbajtur 100 vjet më parë, në nëntor të vitit 1908. Sot, ata pretendojnë të jenë po 50. Nuk kanë ndër mend të bëjnë një alfabet tjetër. Këtë barrë e hoqën gjyshërit e tyre. Por për të përkujtuar, po, ky është një mision që ia vlen. Pasardhës të delegatëve të Kongresit të Manastirit, që 100 vjet më parë, vendosën njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe, u mblodhën dje, si gjyshërit, apo stërgjyshërit e tyre, në takimin “Të nderojmë veprën e rilindësve dhe të forcojmë dashurinë për gjuhën tonë, vlera më e madhe e kulturës kombëtare”. Ishin nipër e stërnipër të Frashërllinjve, Topullarëve, Vrionasve, Qiriazëve, Luarasëve, Zavalanëve, për të vijuar me pasardhës së Shahin Kolonjës, Dhimitër Budës, Hilë Mosit, Luigj Gurakuqit, etj. Organizatorja e takimit, Elida Jorgoni (përfaqësuese e pasardhësve të Hilë Mosit), nuk e pati të lehtë t’i gjente. Iu desh të kërkonte në arkiva e numëratorë telefonikë.
Të lënë në hije për vite me radhë, madje edhe të persekutuar gjatë periudhës së diktaturës, pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Manastirit, pretendojnë se është dita që të dëgjohet edhe zëri i tyre. Edhe pse sot askush më nuk mund të censurojnë historinë, nuk mund të lerë në hije e të përçudnojë kujtimin dhe veprën e figurave të mëdha si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, etj., askush nga pushtetarët nuk kujtohet se këta njerëz, që na dhanë alfabetin, kanë lënë pas pasardhës, të cilët në të vërtetë kanë se ç’tregojnë. Të mbledhur rreth një tryeze të rrumbullakët, pinjollët nuk kërkojnë shumë. Ata duan thjeshtë të kujtohen dhe të jenë të pranishëm në përkujtimet e këtyre datave të shënuara, që janë pjesë e jetës së tyre. Do të donin të bënin një “pelegrinazh”, të shkonin në Korçë, atje ku janë gdhendur germat e para të alfabetit, të merrnin pjesë në një konferencë shkencore, që do të zhvillohet atje e më tej të vijojnë në Manastir, ku pritet të zhvillohen aktivitetet e mëdha përkujtimore. Në një letër drejtuar pushtetarëve, duke filluar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, tek kryeministri, Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Ylli Pango, ai i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja dhe kryebashkiaku Edi Rama, delegatët e “rinj” kërkuan mbështetje financiare për udhëtimin e tyre, me qëllim që edhe ata të mund të vendosin një kurorë me lule tek ndërtesa ku u zhvillua kongresi. Tek ajo ndërtesë, që sot fatkeqësisht ka ndryshuar destinacion dhe është kthyer në një shitore dhe delegatët e rinj, e quajnë të turpshme, që askush nuk ka ngritur zërin për këtë.
Sipas sekretares së Komitetit të ngritur me këtë rast, Kozeta Zavalani (në komitetin e alfabetit, 100 vjet më parë, sekretare ishte Parashqevi Qiriazi) tha se ky takim është edhe një lloj sensibilizimi që i bëhet qeverisë shqiptare, për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj ngjarjeje. Ajo tha se për të më së shumti është kujdesur qeveria maqedonase, sesa ajo shqiptare, edhe pse kjo është ngjarja më e madhe gjuhës shqipe. Gjatë takimit të djeshëm u paraqitën edhe dokumente arkivore, si një artikull i botuar në gazetën “Lirija” të Selanikut, Nr 15.8.21 nëntor 1908 dhe “Relacionin e Konsullatës Austro-Hungareze në Shkodër, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë, baron Fon Erental për delegatët e Kongresit të Manastirit”, që daton 18 qershor 1909. Përmes këtyre dokumenteve jepet lista e saktë e delegatëve në Kongres dhe zonat përkatëse që ata përfaqësonin, përkundër listave të cunguara, që janë paraqitur në varësi të politikës censuruese.
“Kështu u sos kongres’i Manastirit dhe kshu u ndanë shqiptarët, duke mbajturë në zëmrë të tyre një kujtim të paharruar nga këto dhjetë ditë të shkuara me një festë që s’e kishin parë kurrë gjer më sot”. Kështu do ta komentonte mbylljen e Kongresit “Lirija” e Selanikut më 21 nëntor të vitit 1908. Kjo është atmosfera që kërkojnë të krijojnë edhe pasardhësit e delegatëve të dikurshëm, që në emër të alfabetit, lanë pas prejardhjen e tyre, pozitat dhe fenë.