E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis regjistrimi i qytetarëve dhe banesave

Autori i Lajmit: red.
Me përfundimin e fazës së parë të sistemit të adresave në Tiranë, ku janë identifikuar 1268 rrugë, 858 nga të cilat janë të reja, Bashkia e Tiranës ka nisur një tjetër proces. Ky i fundit ka të bëjë me regjistrimin e banesave të qytetarëve dhe të dhënave për çdo person në Zyrat e Gjendjes Civile. Procesi në fjalë pritet të kryhet brenda një viti.. Burime nga Bashkia e Tiranës thanë dje se "këta regjistra do të jenë të plotë, duke u shtuar edhe të dhënat për çdo apartament apo banesat ku jetojnë qytetarët . Çdo qytetar do të figurojë me adresë të saktë në të gjitha njësitë bashkiake, duke pasur një dosje të plotë me të dhënat e tyre që do të ndihmojë për mënyrat e kontaktit në çfarëdolloj situate që do të krijohet". Specialistë të Bashkisë, në bashkëpunim me të gjitha njësitë bashkiake, kanë përfunduar fazën e parë të identifikimit të të gjitha rrugëve dhe aktualisht po punojnë për identifikimin e çdo banese dhe pallati që ndodhet në çdo lagje të kryeqytetit. Me identifikimin e tyre dhe plotësimin e detajuar, të cilat do të jenë të dokumentuara në Regjistrat e Gjendjes Civile pranë çdo njësie, do të jetë më i lehtë dhe verifikimi i qytetarëve. Ky lloj shërbimi është i domosdoshëm për dërgimin e letrave me postë, rastet e urgjencave për probleme shëndetësore, për drejtoritë e shkollave, të cilat do ta kenë më të lehtë për të gjetur familjen e çdo nxënësi dhe për punonjësit e çdo njësie bashkiake për të verifikuar familjet që përfitojnë të ardhura ekonomike, për personat me aftësi të kufizuar apo për fëmijët që shkojnë në kopshte dhe në çerdhe.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›