E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativa e Brezhnjevit, oferta e vetme e Edvinit për 8 majin

25-03-2011 / Nga Shqipe Xoxi

Partia Socialiste në Shkodër është si mishi i huaj në trupin e njeriut. Një patologji me fytyrë femre. Emrin e ka Keti Bazhdari dhe është kryetarja e PS-së së Shkodrës. Ardhur posaçërisht majtas, ajo është një prej femrave biznesmene (Pronare e një fabrike që prodhon tanga dhe recipeta), që luan rolin e një “agent provocateur” të Ramës mes katolikëve dhe të persekutuarve të Shkodrës.
Përmes saj, dje Edvini ka lëshuar një kërcënim në versionin femër për Tiranën zyrtare, që  do të bojkotojnë votimin nëse dyshimi i opozitës për lista zgjedhore s’do të sqarohet. Vetiu kuptohet që halli i Ramës në Tiranë është edhe problem i Keti Brezhnjevit e krejt PS-së në qytetin e Shkodrës, ngase në këtë qytet PS-ja s’fiton as sikur qielli me tokën të bashkohet. Shkodra është demokrate në 98 përqind të saj, çka bën edhe më të pakuptueshme kërcitjen e dhëmbëve të zonjës Keti.
Megjithatë gjithçka të bën të mendosh se me deklaratën Znj.Keti ka nisur edhe planin për shkatërrimin e zgjedhjeve vendore, duke iu referuar jo vetëm incidenteve të fundit për listat zgjedhore, por edhe ultimatumeve verbale të bibave periferike. Opozita e bashkuar me komunistët e orës së fundit, pa PBDNJ tashmë, nuk shikojnë mënyrë tjetër fushate përveç asaj radikale, që mund të përfundojë në ekstremin e tërheqjes së Partisë Socialiste nga zgjedhjet lokale në ato zona ku mendon se do të humbë. Premisat për një acarim të mëtejshëm të fushatës zgjedhore janë vërtetuar të gjitha. Edhe tre kushtet e fundit të kreut të PS-së, së pari, janë kartat e identitetit dhe verifikueshmëria e tyre, riformatimi i KQZ-së sipas një skeme të balancuar dhe rikthimi i anëtarit të propozuar nga Presidenti. Kurse kushti i tretë është ai i kontrollit dhe transparencës mbi regjistrin e votuesve. Mirëpo përpara dy ditëve të fundit, as Rama dhe as formacionet e tjera të opozitës këto shqetësime nuk i kanë konsumuar kurrë më parë me ndërkombëtarët. 
Sidoqoftë kontestimi i listave zgjedhore është i pavend, pasi në të gjitha qytetet e mëdha qeveris opozita, ku edhe listat zgjedhore pastrohen dhe verifikohen nga pushtetet vendore. Sakaq organizimi kapilar i kontestimit të Partisë Socialiste në Kryeqytet ku mendohet se do të përcaktojnë fatin politik të Edi Ramës, por edhe në qytete të tjera të vendit tregon për drithërimën e frikës që ka prekur tash sa kohë Partinë Socialiste për një tjetër humbje të mundshme në zgjedhjet lokale të 8 majit.
Është kuptueshme nevoja për një acarim të kundërshtarit në momente kur ky duhet si të mendojë që procesi të shkojë mirë dhe njëkohësisht të mendojë sesi të fitojë. Qeveria Berisha është përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe njëkohësisht kandidon pretendentët e PD-së për fitimin e bashkive dhe komunave. Vënia nën presion e qeverisë Berisha për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ka për qëllim të neutralizojë kandidatët e PD-së nëpërmjet mbajtjes së vëmendjes më shumë tek mjeti sesa tek qëllimi. Me këtë strategji udhëheqja e PS-së tenton të njollosë deri në fund procesin, duke hedhur përditë dyshime mbi procesin zgjedhor dhe jo ofrimin e alternativës. Në mungesë të plotë të projekteve dhe faktin që qeverisin pushtetin lokal prej shumë vitesh, Edi Rama do të politizojë zgjedhjet e drejtuesve lokalë, me një artificë burokratike. Kështu nis zjarrvënia e një procesi që s’mund dhe s’do të jetë kurrë më i keq se ai i 28 qershorit 2009, përkundrazi ka garancitë ndërkombëtare për një proces të rregullt dhe standarde të plota demokratike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›