Rexhep Qosja, kjo piramidë e destruktivitetit njerëzor
Ndjesitë intelektuale, edhe mund ta shtyjnë njeriun që të ketë një qëndrim kundër rrënimit të “Piramidës”, dhe askush nuk do të duhej t’i thoshte asnjë fjalë të keqe. Është në natyrën e intelektualëve që të jenë kundër rrënimit, dhe të mos përkrahë politika të tilla. Por kur intelektuali këtë e bën jo pse është kundër shkatërrimit si të tillë, por pse është kundër qeverisë që qeverisë vendin me votë të lirë, atëherë çështja e pozicionimit kundër shkatërrimit bëhet e pasinqertë, tendencioze dhe me qëllime aspak fisnike. Dhe rasti i kundërshtimit të shkatërrimit të “Piramidës”, që Rexhep Qosja ia bëri ditën e mërkurë në një kronikë televizive, është pikërisht rasti i këtillë. Kur është fjala për Rexhep Qosjen nuk do shumë për ta kuptuar këtë, sepse është njeriu më tipik që ka dëshmuar vetë për destruktivitetin e tij, për karakterin shkatërrimtar dhe përkrahës i shkatërrimit. Viti 1997, është viti, në të cilin Rexhep Qosja kishte përjetuar deliriumin e tij të destruksionit, bile për disa elemente ia kishte kaluar edhe përkufizimeve teorike që destruktivitetit njerëzor ia kishte bërë Erih Fromi, por edhe përkufizimit teorik të agresivitetit që ia kishte bërë Zigmund Frojdi, apo edhe Melani Klajni. Si askush më parë, Rexhep Qosja, gjithë mjeshtërinë e shkrimësisë, gjithë mjeshtërinë e oratorisë dhe të retorikës, gjithë autoritetin e tij intelektual e kishte vënë në funksion të nxitjes, të përkrahjes dhe të shkatërrimit jo të një objekti të veçantë, por të shumë objekteve të administrimit shtetëror, të mbrojtjes shtetërore, si dhe të imazhit shtetëror. Me fjalë të tjera, me tërë angazhimin e tij ishte vënë në anën e zjarrvënësve dhe shkatërruesve të shtetit aktual shqiptar, duke u bërë njëherësh frymëzuesi më i madh i këtij destruksioni dhe agresiviteti me elemente të një skizofrenie kolektive. Dhe atëherë nuk u shkatërrua një objekt, atëherë u shuan rreth 3000 jetë njerëzish, u shkatërruan shumë objekte të ndryshme. Mbi të gjitha, u vu në diskutim vetë ekzistenca e shtetit aktual shqiptar, dhe për një çast u shkatërruan shpresat e njerëzve për lirinë dhe demokracinë.
Por kurrë nuk u ngrit një gjyq kundër Rexhep Qosjes që moralisht t’i bëhet e qartë se koha e piramidave ka përfunduar. Sepse Rexhep Qosja nuk është kundër shkatërrimit të “Piramindës” si objekt, por është kundër rrënimit të mendësisë së piramidës që është mendësi që arsyeton ekzistencën e Njëshit, të Idhullit, të Kultit të Individit. Dhe Rexhep Qosja ka nevojë shumë për këtë, sepse nëpërmjet kësaj mendësie, ai mund të shpresojë te kulti i tij, te idhulltaria që e sheh atë në majë, që e sheh atë Njëshin. Prandaj, Rexhep Qosja sot qan për “Piramidën”. Por, ai ose nuk do ta kuptojë se koha e Njëshit ka mbaruar, ashtu siç ka mbaruar edhe koha e piramidave, ose nën efektet e ankthit, mobilizon ato që Julia Kristeva i quan forca të terrorit ndaj gjithçkaje që cenon kultin e tij.
Personaliteti destruktiv i Rexhep Qosjës, ndërkaq, nuk është se u ngjiz me anarkinë e viti 1997 në shtetin aktual shqiptar. Jo. Personaliteti destruktiv, por edhe agresiv i Rexhep Qosjes bazën psiko-sociale e ka që në kohën kur konteksti socio-politik në Kosovë i dha meritat jo edhe të merituara të një nacionalisti me orientime socialiste, dhe të një shkencëtari të letërsisë shqiptare, por shpërfaqjet e para konkrete në rrafshin psiko-social i ka në kohën kur filloi të shfaqet një brez intelektualësh shqiptarë të mbledhur në Prishtinë, e që ishin formuar në shkollat perëndimore të shkencës, të dijes, si dhe kishin bërë për vete rryma letrare dhe teori letrare e kritike moderniste. Rexhep Qosja me të gjitha forcat, edhe të pushtetit politik, institucional dhe moral të kohës ishte vënë kundër intelektualëve të kohës: Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli, poetë si Ali Podrimja dhe Eqrem Basha e të tjerë, të mbledhur rreth një lëvizje kulturore-intelektuale “VOX”, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Këta i akuzonte për ndikime josocrealiste, por edhe i fyente në baza personale. Në librin “Morfologji e një fushate”, Rexhep Qosja, Rexhep Ismajlin e quante profesor me korrespondencë, kurse Ibrahim Rugovës ia kishte pamundësuar punën si profesor në Universitetin e Prishtinës, si ligjërues i “Estetikës”, edhe pse për kohën ka qenë njohësi më i mirë i kësaj lënde.
Këtë inat personal, që kurrë nuk u shua te ai, Rexhep Qosja e ngriti edhe në nivel të inatit politik, duke u bërë kundërshtari kryesor dhe më joparimor i Ibrahim Rugovës kur ky u bë kryetar i LDK-së dhe kryetar i Kosovës. Kurrë, Rexhep Qosja nuk i ka ndalur akuzat e pabaza kundër Ibrahim Rugovës, e kurrë nuk e ka njohur atë si president të Kosovës. Pat hartuar edhe një “Fjalor demokratik” kundër Ibrahim Rugovës dhe zhvillimeve në Kosovë, e që u bë bazë e kundërvënies së mjerë kundër gjithçkaje që kishin arritur shqiptarët e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë për më pak se 5-6 vite veprimtari të organizuar politiko-institucionale. Inati personal kundër presidentit Rugova, Rexhep Qosjes ia kishte topitur arsyen dhe ia kishte mprehur urrejtjen patologjike. Dhe kjo urrejtje, destruksionin, intrigën dhe akrobacitë politike, te Rexhep Qosja i kishte ngritur në nivel më të lartë të mundshëm. Dhe Beogradi e shfrytëzoi këtë në angazhimet kundër-rugovë që kishte provuar të nxiste pa sukses në Kosovë. Nga Marrëveshja e Arsimit e viti 1996, Beogradi kishte pranuar të lëshonte vetëm Institutin Albanologjik, për t’ia mundësuar Rexhep Qosjes dhe në përgjithësi kundër-rugovistëve në Kosovë që të krijonin një qendër të luftës kundër-rugovë. Dhe destruksioni i Rexhep Qosjes shkoi deri aty sa të shkilte mbi gjithë veprimtarinë e tij publicistike të mëparshme, e që ishte veprimtari për bashkimin kombëtar, në ç’drejtim kishte bërë edhe një libër, Strategjia e bashkimit kombëtar, dhe ishte deklaruar fillimisht për një Kosovë të pavarur me lidhje të veçanta me Shqipërinë, siç thoshte ai, për të përfunduar në vullnetin e tij, e që ishte edhe vullnet i linjës që përfaqësonte për njohjen e së drejtës për vetëvendosje për serbët e Kosovës. Duhet të kujtojmë me këtë rast, se njeriu që më 1990 i kish deklaruar një medie në Prishtinë se dinte të mendonte politikisht, por nuk dinte të sillej politikisht, për çudi na qenkësh mësuar të sillej politikisht në kohët kur ishte më së vështiri të bëhej politikë: gjatë masakrave serbe në Kosovë. Dhe këtë nuk e kishte bërë se vërtet na ishte mësuar të sillet politikisht, por për arsye se e konsideronte kohë të përshtatshme, mundësi të artë për ta rrënuar politikisht presidentin Rugova, të cilit arriti t’ia zhvaste grupin e marksist-leninistëve në krye me Hydajet Hysenin, të njohur edhe më vonë për festimet e ditëlindjes së Enver Hoxhës etj. Dhe bëri gjithçka, u bë me gjithësecilin që ishte kundër Ibrahim Rugovës në Prishtinë, e kundër Sali Berishës në Tiranë, vetëm që të mos kishte të tjerë që mund të ishin më të dashur për popullin, sepse populli, sipas mendësisë bukolike neoromantike dhe soc-realiste ishte grixha e tij, dhe nuk guxonte kush t’ia prekte. Dhe ky kompleks, që ka elemente edhe të Kompleksit të Edipit, edhe elemente të Kompleksit të Ahasverit, por edhe elemente skizoide, Rexhep Qosjen e ka bërë të ketë vështirësi përshtatjeje në një shoqëri të re, në të cilën jo gjithçka është e përsosur, por është një shoqëri që nuk e duron më kultin e individit. Prandaj, ai është shumë destruktiv, është shumë agresiv dhe shumë anarkik në pikëpamjet e tij, në qëndrimet e tij. Rasti i “Piramidës”, është rasti i shprehjes së radhës së këtij destruktiviteti, por është edhe rasti që e shpërfaq qartësisht atë si piramidë të destruktivitetit njerëzor.