E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alternativa e qeverisë zhvillimi dhe progresi, opozita e Ramës, alternativë gënjeshtrash”

Kryeministri Berisha vijon në Belsh turin “Shqipëria po ndryshon”. “Në mandatin e dytë do të bëjmë 3 herë më shumë sesa kemi realizuar gjatë këtij mandati”

TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Sali Berisha u ndal dje në bashkinë e Belshit, ku inauguroi fillimin e punimeve të rrugës që lidh këtë zonë me Kuçovën, 14 kilometra e gjatë, me një vlerë prej 590 milion lekësh. Kreu i qeverisë, gjatë takimit me banorë të Belshit, duke vlerësuar rëndësinë e këtij segmenti rrugor, tha se në këto katër vjet, qeveria që ai drejton i ka kushtuar një rëndësi shumë herë më të madhe investimeve në këtë zonë, krahasuar me ato të qeverisë socialiste.
“Qeveria e mëparshme, në 8 vjet asfaltoi 2 kilometra rrugë, ndërsa ne, së bashku me këtë rrugë që inaugurojmë sot, realizojmë ndërtimin e 46 kilometrave rrugë. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se çdo fshat i komunave të kësaj zone, do të lidhet me rrugë të asfaltuara, me qendrën e komunës dhe me rrugët kryesore. Unë dua t’ju bëj thirrje kryetarëve të komunave të Dumresë të bëjnë projektet e rrugëve të fshatrave të tyre dhe qeveria do t’i financojë ato plotësisht. Sikundër, jemi të vendosur të investojmë në çdo projekt tjetër infrastrukturor. Investimi në zonat tuaja, në tërësi në zonat rurale të Shqipërisë, është një përparësi e jona. Ju nuk do të ndiheni më të braktisur, sepse në konceptin tonë nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar me një fshat të prapambetur, nuk mund të ketë një barazi shoqërore në rast se ne nuk krijojmë, aty ku ju banoni, kushte të ngjashme me qytetin, në rast se ju nuk do të keni rrugë të asfaltuara, ujësjellësit dhe kanalizimet, nuk do të keni shkollat moderne, nuk do të keni shërbimet që meritoni”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit, Berisha, iu referua edhe politikës shterpë dhe destabilizuese të Partisë Socialiste, për të cilën siç theksoi kryeministri ka në themel trillimin ndaj çdo arritje të qeverisë.
“Përpos alternativës së qeverisë që unë drejtoj, e cila është alternativa e zhvillimit dhe progresit, ka një alternativë tjetër paralel me këtë; alternativa e fjalëve, mashtrimeve, gënjeshtrave, alternativë e cila përpiqet të nxijë gjithçka. Ne rrisim rrogat dhe pensionet, ata bërtasin varfëri, varfëri, ata përhapin lajme se ne nuk do të anëtarësohemi, organizojnë mitingje për të protestuar. Ne aplikojmë për vend kandidat në BE dhe për vizat, ata bërtasin përse aplikoni. Por, si mundemi të mos aplikojmë kur kjo është ëndërr e çdo shqiptari? Ne e kishim ëndërr të ishim anëtarë të NATO-s, ëndërr e kemi të jemi anëtarë të BE-së, ndaj ne do të vazhdojmë, pavarësisht se çfarë duan ata”, u shpreh kreu i qeverisë, duke theksuar se opozita e tyre është opozitë e skupeve, e trillimeve.
Në këtë aspekt, kryeministri shtoi se në Shqipëri ndodhi akti politik më madhor në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA. Presidenti i tyre, shtoi Berisha, vizitoi Shqipërinë, shqiptarët i tregojnë atij dashurinë dhe respektin më të madh, mirënjohjen më të thellë për Presidentin amerikan, sepse vlerësuan se ai, në momentet më kritike për kombin shqiptar, ndërhyri me vendime shpëtuese për ne. “Por çfarë bëri opozita?. Opozita tha që shqiptarët i vodhën orën Presidentit, për të krijuar një lajm të turpshëm për shqiptarët”, shtoi kryeministri.
Ndërsa, ka kërkuar një mandat të dytë, Berisha garantoi banorët e se investimet do të jenë sërish refren i alternativës së djathtë. Berisha u shpreh gjithashtu se në vitin e parë të mandatit të dytë, do të ketë liberalizimin e plotë të vizave dhe qytetarët e saj do të lëvizin në mbarë Evropën.

“Politika e braktisjes së zonave rurale ka marrë fund,
brenda mandatit të dytë përfundon asfaltimi në fshatra”

TIRANE - Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje në Komunën Kujan të Elbasanit se qeveria paraardhëse investoi zero, ndërsa qeveria aktuale ka investuar 34 milionë lekë, në rrugë të brendshme në Kajan 20 milionë lekë, në rikonstruksion të ujësjellësve të fshatrave 11 milionë lekë, në rikonstruksionin e 2 qendrave shëndetësore një vlerë prej 2.5 milionë lekë.
Në komunën Fierzë qeveria e mëparshme investoi vetëm 12 milionë lekë për shtrimin me zhavorr të rrugës Hardhi- Fierzë dhe lekët e tjera ata i futën në xhep, ndërkohë që ne kemi investuar 46 milionë lekë. Për ujësjellësin e fshatit Hardhi kemi investuar 6 milionë lekë, për qendrën shëndetësore 5 milionë lekë, për ujësjellësin e fshatit Fierzë 10 milionë lekë, për shkollën e fshatit Fierzë 25 milionë lekë.  
Në komunën Shalëz socialistët kanë investuar në 8 vjet vetëm 4 milionë, ndërsa ne në 3 vjet kemi investuar 67 milionë lekë, për shtrimin dhe asfaltimin e rrugës Shalëz – Xibrakë, me gjatësi 3.5 kilometra, kemi investuar 38 milionë lekë, për ujësjellësin Cërrik- Xibrakë 23 milionë lekë, për shkollën e fshatit Kurtalli 5 milionë lekë.
Në komunën Grekan socialistët kanë investuar 7 milionë lekë për shtrimin me çakull të rrugëve të lagjes Domi,  ndërsa ne kemi investuar 55 milionë lekë. Është ndërtuar ujësjellësi i fshatit Dëshiran me vlerë 8 milionë lekë, rruga Dëshiran – Vlashuk me vlerë 14 milionë lekë, rikonstruksioni i dy qendrave shëndetësore me vlerë 2 milionë lekë. Për rrugën e qendrës së fshatit Grekan është investuar 28 milionë lekë. Për rikonstruksionin e ndërtesës së postës në fshatin Grekan është investuar shuma prej 3 milionë lekë.
Në bashkinë Belsh, socialistët kanë investuar për kanalizime 5.5 milionë lekë, ne kemi investuar 1 miliardë e 122 milionë lekë. Është investuar ndërtimi i rrugës së Tatanëve me vlerë 7 milionë lekë, rruga e Kalasë së Belshit me vlerë 7 milionë lekë, rikonstruksioni i qendrave  shëndetësore në Marinëz, Shkëndije dhe Qafë Shkallë, me vlerë 10 milionë lekë, rikonstruksioni i gjendjes civile me vlerë 2.5 milionë lekë, rruga Belsh – Pajovë, me gjatësi 15.6 kilometra dhe me vlerë 325 milionë lekë, rrugë e cila ka filluar ndërtimin.
Kryeministri shtoi se “ka filluar rruga Belsh- Fierzë, me gjatësi 12 kilometra dhe me vlerë 180 milionë lekë, rruga Belsh – Kuçovë që po inaugurojmë nisjen e punimeve sot, me gjatësi 14 kilometra dhe me vlerë 600 milionë lekë”.
Kryeministri u shpreh se në mandatin e dytë do të përfundojë asfaltimi i rrugëve në Shqipëri.
“Çdo fshat do ta lidhim me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›