“Prehri i nënës është akademia më e madhe e botës”

Kryetarja e Kuvendit pret qindra nëna në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë me rastin e 9 Majit, ditës së Nënës
TIRANE - Ndryshe nga asnjë herë tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka mbledhur dje në mjediset e Kryesisë së Kuvendit qindra nëna, artiste të mirënjohura, këngëtare, shkrimtare e mësuese me rastin e 9 Majit, ditës ndërkombëtare të Nënës.
Në një atmosferë krejtësisht të veçantë e festive Kryetarja e Kuvendit u përcolli urimet më të mira nga zemra nënave dhe fëmijëve të tyre, miqve më të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke iu drejtuar qindra grave të cilat kishin ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Sot është një festë krejt ndryshe nga festat e tjera. Është festa më e bukur, është festa më e ëmbël, është festa më madhështore. Është dita e nënave tona. Gëzuar festën të dashura nëna!”.
Duke ua adresuar këtë urim edhe fëmijëve të këtyre nënave, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se “Prehri i nënës është akademia më e madhe e botës. Unë këtë e besoj plotësisht”, tha Topalli. Duke vijuar më tej, Kryetarja e Kuvendit shprehu gjykimin se “Fëmijët tanë mendojnë se ne jemi të forta, të hekurta, sepse ne nuk mërzitemi kurrë, nuk dorëzohemi kurrë”.
Sipas Topallit kjo ndodh “Sepse edhe kur qajmë, edhe ku mërzitemi, edhe kur qeshim ne themi: Do të vazhdojmë përsëri. Do të vazhdojmë dhe do të vazhdojmë”.
“Edhe në momentet më të vështira, edhe kur qesh, edhe kur nuk qesh, edhe kur bashkëshortin e ka në emigracion, edhe kur është nënë me fëmijë, ajo është timoniere. Nuk dorëzohet kurrë”, theksoi Topalli.
Sipas Kryetares së Kuvendit, nënat edhe pse mund të jenë të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë një gjë të përbashkët, gjuhën e amësisë që lidh nënën me fëmijën. Për të bërë një diferencim, mes burrave dhe grave, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “burrat mund të jenë të majtë dhe të djathtë, gratë janë demokrate, demokrate dhe vetëm demokrate!”.