Mbështetje për demokristianët shqiptarë, në mbrojtjen e vlerave të demokristianizmit.
Kreu i PDK-së Anton Gurakuqi takon në Romë senatorin Rocco Buttiglione
TIRANE - Mbështesim vlerat e vërteta demokristiane. Ky është mesazhi i dhënë i një nga liderëve të demokristianizmit në Evrope, njëherësh Senator i parlamentit italian, Rocco Buttiglione gjatë takimit të zhvilluar në Romë me Anton Gurakuqi, përfaqësues i demokristianëve shqiptarë në qeveri. Gjatë takimit tejet miqësor, bashkëbiseduesit diskutuan për tre shtyllat kryesore të demokristianizmit, mbrojtjen e jetës, dinjitetin njerëzor dhe familjen. Në këtë aspekt Buttiglione shprehu mbështetje dhe vlerësime për qëndrimin dhe vëmendjen që kreu i demokristianëve Gurakuqi bashkë me demokristianët shqiptarë kanë treguar për këto fondamente të demokristianizmit. Nga ana e tij Gurakuqi e njohu bashkëbiseduesin me një nismë të re, atë për zhvillimin e një referendumi kundër abortit, nismë e cila u vlerësua dhe gjeti mbështetjen nga Buttiglione. Një tjetër temë e diskutuar ishin reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, për të cilat Buttiglione shprehu mbështetje dhe vlerësime të gjithanshme. Po kështu Buttiglione shprehu mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.