Edi Rama hipën në autobusin Berat-Uznovë, flet për kartat, por jo për kushtet e shërbimit urban

Kryetari i PS-së tërhiqet nga ultimatumet, apelon ndaj qytetarëve për të aplikuar për kartën
TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar dje takimet elektorale në rrethin e Beratit, ku pas mosmbështetjes së strategjisë së tij bllokuese nga ana e ndërkombëtareve, u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për kartat e identitetit.
Për herë të parë, Edi Rama është bërë pjesë e këtij procesi, në mënyrën më befasuese dhe të papritshme. Për të lëshuar thirrjen e munguar prej disa muajsh nga ai vetë, për pajisjen me kartat e identitetit, Edi Rama, ka zgjedhur të udhëtojë në autobusin urban Berat - Uznovë.
Nga mesi i autobusit urban, kur udhëtarët e shumtë, u detyruan dje të shtrëngoheshin edhe nga prania e kameramanëve, Edi Rama, në mënyrën më “origjinale”, nuk ka folur për shërbimin urban, kushtet dhe mundësitë e përmirësimit të tij, por ka folur për kartat e identitetit.
Në këtë kuptim, mes “origjinalitetit” të tij, duke shpresuar përherë e më pak se ky kalë betejë do të mbajë peng procesin si dhe do të rrisë tensionet, Rama është tërhequr në heshtje nga pozicionet fillestare duke apeluar ndaj qytetarëve për të aplikuar për këtë dokument të rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare, duke ripërsëritur premtimin e rimbursimit të kartave të identitetit.