E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativë për "Çështjen kutitë"

Në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara, si për pushtetin qendror ashtu edhe për atë lokal, nuk janë plotësuar standardet e kërkuara dhe të gjithë pranuara, prandaj me të drejtë mund të themi se, parë në këtë rrafsh, vendi ynë mund të cilësohet si i sëmuri i Europës. Dihet fakti se në maj të vitit 1996 ai ra në koma. Më pas u zgjua mjaft i lodhur. Nga viti në vit me përmirësime të pjesshme, por që ende nuk japim shpresë për shërim të plotë.

Për cilindo, që nuk është përfshirë drejtpërdrejt në hallkat e ndonjë procesi zgjedhor, madje edhe për vetë vëzhguesit e huaj, është mjaft e vështirë që të përcaktojë me saktësi dhe në detaje, shkaqet e vërteta të kësaj gjendjeje. Për sa më sipër, "aftësi" më të plotë si rregull kanë shtabet qendrore dhe lokale të partive politike, pa përjashtuar këtu edhe individë të veçantë. Pavarësisht nga mekanizmat, ata janë përpunues të ideve, të strategjive, të taktikave, me rrjedhojë dëmtimin dhe shëmtimin e zgjedhjeve. Kritikat e njohura të organizmave ndërkombëtarë dhe, gjithashtu, kundërshtimi pothuajse i vijueshëm, deri në mospranim të rezultatit, nga ana e "humbësve" të radhës, ka sjellë që shtabet përkatëse, zvogëlimin e shkallës së marrëzive të vërejtura në manipulim, rregullisht ta baraspeshojnë me sofistikimin e tij.

Për ne, përgjatë këtyre viteve, ka mjaft të vërteta që fshihen dhe duhet të dalin në shesh. Ndër këto, pa asnjë mëdyshje përfshihet dhe sot prin, e vërteta për rezultatin real të zgjedhjeve të fundit. Për ta nxjerrë atë në dritën e diellit, para syve të opinionit publik, nuk ka pse ta vështirësojnë, duke e trajtuar si të pamundur. Për ta lënë në terr, ashtu si deri më sot, nuk mjaftojnë dhe janë pak mbushamendëse argumentet e ndryshme ligjore, gjithashtu edhe trajtesat me karakter dyshues për thelbin e shtysës së kërkesës që ka bërë opozita.

Në fund të fundit, këto nuk rezultojnë asgjë tjetër, veçse si pengesa tepër të gabuara, duke pamundësuar përcaktimin sa më konkret të shkallës së dëmtimit të përfolur dhe të pretenduar, diferencimin e bashkësisë së autorëve dhe aktorëve të tij. Kjo bashkësi historikisht popullohet më shumë nga doktori dhe infermierët e tij, por për të qenë krejt të sinqertë, nuk ngelen pas as të tjerët. Me këtë, nuk dua të heq asnjë paralele ngjashmërie, duke sjellë në kujtesë, atë që të gjithë e dimë se, shpesh hajni, më shumë nga të tjerët, thërret:- Kapeni hajnin.

Kriza e sotme në Shqipëri është ekonomike, politike dhe institucionale. Sa i përket rrafshit ekonomik, zanatçinjtë përkatës, përpiqen ta mjegullojnë dhe ta mbulojnë, duke përdorur lloj-lloj teorish, gjysmë faktesh dhe gjysmë argumentesh, të shoqëruara me shifra dhe terma të pakuptueshëm për njeriun e thjeshtë. Kuptohet se kjo ka si qëllim kryesor, që ai të dyshojë, madje me kalimin e kohës edhe të besojë, se varfëria dhe jo rrallë mjerimi, që i ka mbirë në prag dhe që nuk i shkulet, është vetëm fati i tij i keq.

Sa i përket rrafshit politik, kurba e krizës ka arritur maksimumin e saj, te Kuvendi i ri. Ai, prej më se dy muajsh, i zhvillon punimet pa praninë e opozitës. Mazhoranca, nga njëra anë, duke mos pranuar rinumërimin e pjesshëm po e mbështet thellimin e krizës, por nga ana tjetër, ajo ende nuk arrin të vlerësojë se po tejrritet masa e njerëzve, që gjithnjë e më fort dyshojnë dhe besojnë se manipulimi i rezultatit ka qenë i tejskajshëm. Po rriten gjasat që për këtë masë, nevoja dhe domosdoshmëria e rinumërimit, është më bindëse në krahasim me atë që krijojnë vlerësimet e vëzhguesve të huaj dhe argumentet ligjore, duke përfshirë këtu edhe argumentin, që bazohet dhe është kapur fort, te një vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi, ky vendim duhet të respektohet dhe të zbatohet me përpikmëri, por assesi nuk mund të bartet mekanikisht, pavarësisht problematikës, gjerësisë dhe mprehtësisë së saj. Në këtë vijë arsyetimi, të çudit fakti, se deri tani nuk kemi asnjë qëndrim të përfaqësuesve të institucioneve të gjyqësorit, lidhur me ligjshmërinë ose jo, të rrugës së kërkuar nga opozita, pra nëpërmjet hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave.

E ritheksoj se ne përgjatë këtyre viteve duam që të dalin në shesh shumë të vërteta. Sa i përket të vërtetës për rezultatin real të zgjedhjeve të 28 qershorit, ajo nuk mund të arrihet me anë të rinumërimit të pjesshëm, për dy ose tri qarqe, siç kërkon opozita, sepse me këtë rrugë, nuk na dëshmohet tërësisht e vërteta.

Sa më sipër, për të dalë nga kjo krizë, mazhoranca dhe opozita mund dhe duhet që sa më shpejt të arrijnë të nënshkruajnë një marrëveshje politike, që duke marrë miratimin e të gjithë deputetëve të kthehet në ligj, që do të lejojë dhe do të detyrojë rinumërimin e votave në kutitë e përzgjedhura rastësisht, në sasi përpjesëtimore për çdo qark dhe të mjaftueshme nga pikëpamja statistikore. Përzgjedhjen dhe rinumërimin e bën KQZ-ja, në prani të përfaqësuesve të partive dhe të medias. Pas kësaj, analistët e statistikës nuk e kanë të vështirë që bazuar në përllogaritjet përkatëse, të paraqesin rezultatin e ri dhe natyrisht shmagiet nga ai i mëparshmi. Kjo është një nga rrugët më të mundshme, për të lehtësuar apo edhe "detyruar" përfshirjen në Kuvend të deputetëve të opozitës, për të diferencuar zërin e arsyeshëm, nga zhurmat e qëllimshme. Ky ligj si pjesë e kodit për të gjitha zgjedhjet e ardhshme, duhet të përcaktojë sanksione të shprehura qartë, ndaj autorëve të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Kështu që ata, duke e ditur se, pas rezultatit që nxjerr KQZ-ja, pavarësisht faktit se mund të mos ketë asnjë kontestim nga ana e subjekteve pjesëmarrëse, do të bëhet edhe numërimi i sipërtrajtuar, do të jenë më të përgjegjshëm dhe kundërshtues ndaj çdo kërkese për të manipuluar procesin dhe rezultatin zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›