E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozitari i përkëdhelur dhe qeveritari i panegociueshëm

Me mbylljen e protestës sot do të përfundojë edhe debati për hapjen e kutive. Për protagonistët kryesorë të protestës treditore kjo kërkesë ishte tashmë e ezauruar, por u përdor si kauzë për të kaluar me sukses fazën kalimtare të protestës, përpara kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Nga e hëna, opozita pritet të kërkojë datën e zgjedhjeve të reja dhe të lërë kutitë. Nga e hëna, e vërteta e procesit zgjedhor pritet të kalojë në plan të dytë. Të paktën kështu janë shprehur disa nga zëdhënësit e protestës në media. Duket sikur politika shqiptare për të disatën herë po arrin në një pikë të vdekur, ku zgjidhjet do të imponohen nga jashtë.
Pika e vdekur në fakt, po mbërrin pa u kuptuar. Më 28 qershor 2-3 orë pas mbylljes së kutive, Berisha, Rama e Meta dolën për të përshëndetur procesin, shpërndanë shpresën që Shqipëria u bë vend europian që di të bëjë zgjedhje. Ajo që pasoi pas këtyre deklaratave shpresënxitëse, ishte një luftë e ashpër me kuti votimi që mbaheshin peng dhe me akuza të ndërsjella. Rezultati i mundimshëm u parapri nga koalicioni PD - LSI, ndërsa PS në debatet e brendshme ishte më konfuze se kurrë. Përpara mbledhjes së Asamblesë së Partisë, Edi Rama, deklaroi se nuk bëhej fjalë për bojkot të Parlamentit dhe forumi e reflektoi këtë deklaratë. Deri në kongres gjërat ndryshuan, ndërsa debatet e brendshme acaroheshin. Pas një muaji, bojkoti i Parlamentit ishte e vetmja pikë e fortë e programit të kandidatit për kryetar, zgjedhjet u rrëzuan dhe Parlamenti u deligjitimua, bashkë me dy deklaratat e mëparshme të Ramës.
Në krahun tjetër, Berisha kishte raportin e OSBE-ODIHR-it që e luante si kartën më të fortë për të qeverisur pa negociata me opozitën. Përfaqësuesit ndërkombëtarë e dekurajuan bojkotin e opozitës, ndërsa nga Brukseli vinin sinjalet që priteshin për integrimin. Edhe pa këto, Berisha do të ishte po ai; i panegociueshëm. Argumentet e deklaruara kundër hapjes së kutive nuk dukeshin të besueshme nga goja e tij, pasi të gjithë ata që e njohin Kryeministrin, e dinë se sa është kujdesur për pushtetin gjyqësor përgjatë karrierës së tij. Për më tepër që vendimet e Parlamentit kanë pengesë vetëm Gjykatën Kushtetuese. Në këto kushte, çdo vendim në shërbim të kompromisit nuk kishte për të pasur asnjë pengesë, ligjore apo politike. Megjithatë, Berisha zgjodhi traditën edhe këtë herë.
Të dy liderët, opozitari i përkëdhelur dhe qeveritari i panegociueshëm zgjodhën të arrinin në këtë pikë, në vend të tryezës. Në rast të kundërt do të kishim hetim të zgjedhjeve, konstatim të shkeljeve, dënim të shkelësve dhe hartim të një pakete ligjore që do ta bënte Shqipërinë një vend normal, të paktën në nivelin bazë të demokracisë. Sot kemi të kundërtën, opozitarët që mezi presin të deklarojnë skadimin e afatit për hapjen e kutive, ndërkohë që po përgatisin parullat e reja dhe mazhorancën që, si "mal që hesht", nuk ka ndërmend të lëshojë pe në asnjë kërkesë.
Ajo që po humbet dhe do të humbasë në këtë betejë kokëfortësie është e vërteta e atyre që nuk kanë faj pse gjërat erdhën deri këtu, e atyre që duan të dinë pse Edi Rama më 28 qershor deklaroi se zgjedhjet i arritën standardet, ndërsa më 29 gusht kishte renditur qindra shkelje që ishin bërë përpara 28 qershorit, pse ndryshoi qëndrim për bojkotin e Parlamentit, pse nuk shkoi në Parlament për të shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore për hetimin e zgjedhjeve dhe të largohej nëse mazhoranca e injoronte, pse Berisha nuk pranon të hapen kutitë e të hetohen zgjedhjet që të kemi më në fund një proces të pakontestueshëm, pse nuk pranon bisedime me opozitën në shërbim të transparencës dhe stabilitetit? Deri tani mund të thuhet që pranimi i përgjegjësive nuk është cilësi e asnjërit, sepse prodhimi i politikës së konfortësisë dhe injorimit është në shërbim të konfliktit që nuk na çon asnjëherë te fajtorët dhe përgjegjësit dhe ata vazhdojnë të drejtojnë.
Si rezultat, sot në bulevard imitohet revolucioni "Portokalli", çadra, birra, qofte dhe vezë i gjen falas çdo kureshtar. Kryeministri del herë pas here të përshëndesë me dy gishta, për të treguar sesa seriozisht e ka marrë situatën. Politikës po ia rizë vendin konflikti, ligjit po ia rizë vendin kanuni, ku e drejta shkon nga viktima e fundit, por viktimat e vërteta janë spektatorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›