Zbardhet vrasja makabër e emigrantit, pranga autorit
Arrestohet autori i vrasjes së emigrantit Arben Visha dhe zbardhet krimi i rëndë i ndodhur dhjetë ditë më parë. Bajram Dara, 41 vjeç, i dyshuar që natën e parë për vrasjen e 38-vjeçarit Visha ka pranuar krimin, por ka treguar se e kishte kryer këtë pas një sherrit të momentit. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se specialistët e seksionit kundër jetës dhe shëndetit, mundësuan ndalimin e autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur rreth 10 ditë më parë, të 38-vjeçarit Arben Hamdi Visha. Policia tha se dyshohet që autori i vrasjes, Bajram Dara, 41 vjeç, me banim në Tiranë, më datë 11 nëntor 2009 rreth orës 20.20, në rrugën "Myslym Keta" në Tiranë, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Arben Visha. Policia shtoi se nga hetimet e kryera rezultoi se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, megjithëse Dara ka deklaruar se e kishte kryer këtë krim pas një sherri. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e dyshuar e krimit pistoletë "TT", 16 fishekë m 54, si dhe automjeti i tij, me të cilin dyshohet se është larguar menjëherë pas kryerjes së këtij krimi. Ndalimi 41-vjeçarit Bajram Dara u bë për konsumim të veprës penale të "vrasjes me paramendim", si dhe të "armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake". Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ardhur si pasojë e një tjetër krimi të ndodhur në vitin 1997, ku mendohet se ka qenë i përfshirë Visha dhe vëllai i tij. Babai i tre fëmijëve, që në atë kohë ishte larguar nga Shqipëria dhe jetonte në Greqi për shkak të hasmërisë. Mësohet se të mërkurën ishte në ditët e fundit e qëndrimit të tij në Shqipëri, pasi pritej të kthehej sërish në Greqi. Viktima Arben Visha kanë treguar dëshmitarët, kishte dalë nga një kafe ku kishte qenë me disa shokë dhe teksa kthehej në këmbë në distancën rreth 100 metra nga lokali për në banesë, është qëlluar për vdekje fare pranë portës së shtëpisë. Ai është qëlluar nga të paktën tetë plumba, por jo të gjithë në trup, ndërsa ka ndërruar jetë në një makinë të rastit, rrugës për të shkuar për ndihmë mjekësore në spital.
Ble. Gi.
Ble. Gi.