E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mallkimi" i kufijve shtetërorë

Gjithmonë ne, shqiptarët etnikë të Kosovës, i kemi "mallkuar" kufijtë që na kanë kufizuar e ndarë nga fqinjët. Nuk e di nëse i kemi "mallkuar" qysh nga ndarja e trevave shqiptare në katër vilajete nga Perandoria Otomane, por e di mirë që, duke filluar nga fundvitet ‘70-të të shekullit XIX (Lidhja e Prizrenit) dhe, thuajse në vazhdim, gjatë gjithë shek. XX ne, me të drejtë, i kemi mallkuar kufijtë që na i kanë vendosur të tjerët. Na e vendosën kufirin e vetëm në zbatim të Vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913-ën, me shtetin e sapoformuar të Shqipërisë. Në mënyrën më arbitrare u nda Gjakova nga Malësia e vet, u nda më dysh krahina e Hasit, Qafë-Morina ndau Prizrenin nga Kukësi, ndërsa qyteti i Dibrës u nda në mënyrën më paradoksale nga rrethi, që mbante dhe vazhdon të mbajë emrin Dibër.
Nuk është vendi, madje as synimi i këtij shkrimi që të evidentojë padrejtësitë që na janë bërë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, kur deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore (nën Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene), Kosova kishte vetëm një kufi, atë me Shqipërinë, që nuk ishte i saji. Fillimisht ai ishte i Mbretërisë, e më pas i Federatës Jugosllave. Më vonë, Kosova njohu edhe "kufijtë" federativë, që e ndanin nga Maqedonia e Mali i Zi (si republika) dhe nga Serbia (ku Kosova inkuadrohej si krahinë). Deri fare pak kohësh, kur u arrit marrëveshja për përcaktimin e kufirit me Republikën e Maqedonisë, kemi vazhduar në të njëjtën gjendje, vetëm me piramida kufitare legale mes Kosovës dhe Shqipërisë. Tani jemi në pragpritje të përcaktimit të kufijve me Malin e Zi, që do ta kufizonte këtë problem ekzistencial të shtetit tonë vetëm me një nga fqinjët tanë natyrorë, vetëm me Serbinë.
Pas përfundimit të trataktivave me shtetin maqedonas për vijën kufitare, që me përjashtim të kundërshtimeve për padrejtësi ndaj disa familjeve shqiptare për pak dhjetëra hektarë sipërfaqe, mund dhe duhet ta konsiderojmë një arritje të rëndësishme të formësimit të shtetit. Me të njëjtin predispozicion po punon qeveria dhe përfaqësuesit e ngarkuar prej saj edhe për finalizimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi.
Në pritje të trataktivave për përcaktimin e kufijve shtetërorë me Malin e Zi, në mediumet e Kosovës janë shfaqur jo vetëm hamendësime pesimiste, por edhe parashikime "të argumentuara", për humbjen e territoreve tona në favor të malazezëve! Individë, grupe dhe shoqata, shfaqen të shqetësuar për përkufizimin e hapësirës, ku do të shtrihet autoriteti i shtetit tonë të ri, ku do të jetojnë, punojnë e përparojnë qytetarët kosovarë, dhe deklarohen se Kosova do të humbasë territor në përmasa kilometrash katrorë ose mijëra hektarësh.
Në përballje me këtë shqetësim, dua të vë në dukje se për herë të parë në historinë tonë Kosova është subjekt, është shtet i pavarur, është palë në trajtimin dhe vendosjen e çështjeve jetike të veta, ku natyrshëm bën pjesë dhe përcaktimi i kufijve tanë shtetërorë. Për hatër të statusit të fituar nga shpallja dhe njohja nga 63 vende të botës së pavarësisë sonë, shteti i Kosovës u shfaq, veproi dhe firmosi si palë e barabartë me Maqedoninë. Është hera e parë që "pronat" tona kombëtare, territorin etnik dhe historik, t‘i mbrojmë dhe t‘i fitojmë vetë. Për herë të parë ne na jepet e drejta dhe mundësia të shfaqemi si subjekt i së drejtës shtetërore ndërkombëtare. Le ta vlerësojmë, por njëherësh edhe të druhemi nga kjo arritje!
Përcaktimi i kufijve është i vështirë të zgjidhet pa "sherr" edhe mes ndarjes së vëllazërisë, edhe mes fqinjëve, edhe mes njësive administrative të një shteti. Dihet që është shumë i vështirë mes shteteve. Edhe në një padrejtësi ndarjeje kufitare mes shtetesh, vuajtësish (humbësit) e drejtpërdrejtë janë shtetasit e "shkelur" nga "gjurma" e vijës së kufirit. Por, nga gjithsecili, qoftë individ, familje, fis apo fshat, duhet të mirëkuptohet që prona, mirëqenia, ardhmëria, varen nga përcaktimi i kufijve dhe i marrëdhënieve ndërshtetërore me fqinjët. Të gjithë e dinë që përcaktimi i hapësirës shtetërore është jetik për jetesën dhe mbijetesën e gjithsecilit. Përfaqësuesit e qeverisë, gjithë negociatorët në këtë raport për përcaktimin e kufijve janë persona në të cilët nuk mund të dyshoj për ndjenjën e tyre atdhetare. Nisur nga vetja, vlerësoj edhe të tjerët, prandaj arrij në përfundimin: të gjithë e duam Kosovën, secili sipas mënyrës së vet. Por, çdo tepri i bën dëm dashurisë! Në pritje të afirmimit të afërt të Kosovës shtet, si anëtar i OKB-së, parashtrimi dhe amplifikimi i pakënaqësive të mundshme apo të pritshme për kufijtë tanë me Maqedoninë apo Malin e Zi, i bën dëm dhe mund të na shqetësojë me këta fqinjë sot, nesër dhe në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›