Basha, inspektim në kufi për liberalizimin e vizave
Ministri i Brendshëm nis inspektimin e pikave kufitare, bashkë me përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Shqipëri, me qëllim fitimin e besimit për liberalizimin e vizave. ambasadorja e Francës, Maryse Daviet, dhe ambasadori i Holandës, Henk Van den Dool, pasi vizituan pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës së bashku me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, shprehën besimin për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në mesin e vitit të ardhshëm. Ata vëzhguan në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës sesi funksiononte sistemi TIMS, si ndërlidhej ky sistem me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, policia kufitare, dogana, kontrolli fito-sanitar dhe shërbimi i antidrogës. Mbresëlënëse, e përkufizuan ambasadorja franceze dhe ambasadori holandez përshtypjen e tyre për funksionimin e sistemeve të kontrollit kufitar në këtë pikë të kalimit kufitar. Ambasadorja Daviet vlerësoi se është bërë një progres i shpejtë në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve që është një çështje kyçe për liberalizimin e vizave. "Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm", u shpreh ambasadorja franceze Znj. Maryse Daviet. Ambasadori Van den Dool shprehu kënaqësinë që progresi në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave ka qenë i dukshëm dhe i shpejtë si në fushën e dokumenteve të sigurta të udhëtimit edhe në fushën e sigurisë së kufijve. "Ajo që ne shpresojmë është që misioni i Komisionit Europian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave", deklaroi ambasadori holandez Z. Henk Van den Dool. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, siguroi të dy ambasadorët se të njëjtën situatë mund të gjejnë në të 26 pikat e kalimit kufitar.