E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri lë dy familje nën qiell të hapur

Tetë anëtarët e dy familjeve në Thumanë të Krujës kanë mbetur në qiell të hapur, pas djegies së shtëpisë së tyre. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, kur flakët kanë përfshirë të gjithë shtëpinë e familjes Doçi. Familjarët të alarmuar kanë dalë jashtë ndërtesës, duke u shpëtuar flakëve, ndërsa kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikëset. Pavarësisht ndërhyrjes nuk u bë e mundur shuarja në kohë e zjarrit, i cili kishte djegur pjesën më të madhe të shtëpisë, duke dëmtuar dhe orenditë shtëpiake. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por tashmë dy familjet kanë mbetur të pastreha. Ndërkohë që vazhdojnë hetimet për ngjarjen, dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›