"Altin Dardha", merret me forcë dëshmitari
Gjykata e Tiranës ka vendosur dje që të thërrasë me forcë një dëshmitar të akuzës, për procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Gëzim Kasemi. Gjykata vendosi gjithashtu që të thërrasë dhe mjekë për të qenë prezent gjatë dëshmisë së të dëshmitarit Riza Qosja, për arsye se ky i fundit vuan nga diabeti, si dhe përkeqësimit të gjendjes së tij në seancën e mëparshme, çka e pengoi edhe të jepte deklarime. Po dje, gjykata i ka tërhequr vëmendjen prokurorit të çështjes Tasim Puci, i cili në tri seancat e fundit nuk ka veshur pelerinën. Prokurori sqaroi dje se nuk kishte një të tillë. Në të tilla kushte, gjykata i ka dhuruar përfaqësuesit të akuzës një pelerinë. I pandehuri Gëzim Kasemi akuzohet për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Beratit gjatë trazirave të vitit 1997. Ai akuzohet si anëtar i Bandës së Altin Dardhës.