E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikonin "balerina" për t‘i bërë prostituta

Tri operacione të policisë kanë goditur dje disa persona, të cilët merreshin me trafik femrash, klandestinësh dhe vjedhje. Të tri operacionet janë zhvilluar në qytetin e Korçës, por janë zhvilluar nën drejtimin e strukturave operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Nga këto është parandaluar trafikimi i katër femrave për qëllime prostitucioni, ndërkohë që kanë përfunduar në pranga disa persona.
"Balerina"
Operacioni më i rëndësishëm ka qenë ai i koduar "Balerina", ku janë arrestuar tre persona, të cilët po tentonin të trafikonin një vajzë 21-vjeçare, me qëllim prostitucioni. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe drejtoritë e Policisë Durrës e Korçë, realizuan operacionin e koduar "Balerina", duke arrestuar shtetasit Mehdi Xhihani, 45 vjeç, lindur në Korçë e banues në Durrës, Xhemal Zenuni, 21 vjeç, lindur në Elbasan banues në Shijak dhe Altin Brahimi, 25 vjeç, lindur e banues në Durrës. Ndalimi i tyre është bërë për veprën penale të "trafikimit të femrave", e kryer në bashkëpunim në një operacion të kryer njëkohësisht në qytetet e Korçës dhe Durrësit. "Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë rekrutuar 21-vjeçaren M. Ll., për ta trafikuar drejt Greqisë, me qëllim shfrytëzimi për prostitucion", pohoi policia. Nga hetimet ka rezultuar se këta tre persona kanë tentuar të rekrutojnë dhe tri vajza të tjera, me qëllim trafikimin drejt Greqisë dhe më pas shfrytëzimin e tyre për prostitucion. Sipas të dhënave hetimore, këta i mashtronin femrat sikur do i çonin në Greqi për të punuar si balerina. Atyre u kanë premtuar rreth njëmijë euro në javë, duke iu mbushur mendjen të ikin drejt Greqisë. Ditën e djeshme, ata janë kapur në malet e kufirit shqiptaro-grek, në tentativë për të trafikuar vetëm njërën prej tyre, ndërkohë që kishin rekrutuar edhe vajza të tjera.
"Stafeta"
Operacioni i koduar "Stafeta" ka vënë në pranga katër persona, të cilët do të kalonin drejt shtetit grek një grup klandestinësh, duke përfituar një shumë prej të paktën 10 mijë eurosh. Burimet e Policisë së Korçës sqaruan se operacioni ka pasur një shtrirje kohore prej disa ditësh, deri në zbulimin e plotë të rrjetit të trafikantëve të qenieve njerëzore, në drejtim të shtetit grek dhe kapjen e tyre në momentin e trafikut. Sipas policisë, rreth orës 15.00 të ditës së djeshme është bërë i mundur finalizimi i operacionit "Stafeta", kur katër persona, pjesë e rrjetit të kalimit të paligjshëm të kufirit, janë kapur bashkë me mjetet që përdornin për realizimin e këtij trafiku, në kushtet e flagrancës. Të arrestuarit janë Ilirjan Bardhushi, 41 vjeç, nga Ravoniku i Korçës, Gjergji Gavri, 40 vjeç nga Kapshtica e Devollit, Melsi Bylyku, 25 vjeç nga Tresteniku dhe Mustafa Eshi, 44 vjeç, nga qyteti i Bilishtit. Këta shtetas, sipas policisë, kanë kryer edhe herë të tjera këtë vepër penale.
"Fundjava"
Policia e Korçës ka bërë të ditur se në kuadrin e operacionit me emrin e koduar "Fundjava" ka mundur të vërë në pranga dy autorë të vjedhjeve të fundit në qytet. Sipas policisë, gjatë ditëve të fundit në qytetin e Korçës janë kryer grabitje të shumta, disa prej të cilave në dyqane dhe pika bastesh në zonën e qendrës së qytetit dhe disa të tjera në argjendari e lokale. Burimet e policisë thanë se dje janë vënë në pranga shtetasit Emiljano dhe Olsi Gura, të dy të dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Ata janë zbuluar si autorë të dy vjedhjeve të fundit të kryera në Korçë. Sipas policisë, dy vëllezërit Gura janë autorë të grabitjes në një dyqan argjendarie dhe të një lokali në lagjen e tyre, ndërsa ka dyshime të forta për përfshirjen e tyre në disa vjedhje të tjera në qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›