Trafik fishekësh në Rinas, policia arreston "pronarin"
Një linjë trafiku fishekësh është zbuluar dje në Rinas, ku ka rënë në pranga një person dhe është bllokuar një sasi e vogël municionesh. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se kanë arrestuar Bardhok Prengën nga Lezha, ndërkohë që kanë bllokuar një automatik, 30 fishekë dhe një karikator. Policia e Lezhës bëri të ditur zyrtarisht se dje në drekë është njoftuar se 40-vjeçari Prenga është kapur në Rinas, teksa tentonte të trafikonte municione jashtë Shqipërisë. Sipas informacioneve, municionet, që janë 30 fishekë dhe një karikator automatiku, janë kapur në bagazhet e tij, ndërkohë që menjëherë është ushtruar kontroll në banesën që kishte në Lezhë. Gjatë kontrollit në banesë është gjetur edhe një armë kallashnikov. Sipas zëdhënëses së Policisë në Lezhë, pas arrestimit, Prenga është dërguar drejt Lezhës, ku pritet të dalë për masën e sigurisë. Gjithashtu, 40-vjeçari është marrë në pyetje në lidhje me këtë trafik municionesh, por nuk ka pranuar të deklarojë asgjë. Më tej, policia i ka shtrirë hetimet në kohë, nga dyshimet se ai mund të ketë kryer këtë linjë edhe më parë. Megjithatë, fakte për herë të tjera nuk janë gjetur, por dyshohet se ai mund të jetë i lidhur me bashkëpunëtorë në trafikun e municioneve luftarake. Sipas të dhënave zyrtare, ende vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që në ditët në vijim pritet që të identifikohen edhe persona të tjerë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.