Altin Haxhi: Mëkat që luaj “plak” në Champions League
Jetmir Halilaj
Ka fituar tituj kampionë në Bullgari dhe në Qipro, me Kombëtaren ka lënë gjurmë të paharrueshme, por në Champions nuk kishte luajtur ndonjëherë në fazën në grupe.Ajo kundër Atletiko Madridit, të martën, ishte e para për të në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. Mesfushori shqiptar do ta mbajë mend gjatë këtë natë, por nuk e fsheh se ndjen një keqardhje të madhe që nuk ka mundur të luajë në Ligën e Kampioneve disa vite më parë, kur ishte në kulmin e tij. Në një intervistë për mediat 34-vjeçari që aktivizohet te Apoel Nikosia, rrëfen emocionet që përjetoi në debutimin e tij në Champions dhe përballjet me yjet e Atletiko Madridit.
U deshën 15 vite futboll në nivele të larta që të mund të luanit një ndeshje në Ligën e Kampioneve... Si ndiheni pas sfidës kundër Atletikos?
Ishte e mrekullueshme. Jam i kënaqur për paraqitjen që bëmë, por edhe për veten time. E ëndërroja prej kohësh që të luaja në këtë fazë të Champions-it dhe ia arrita.
A kishit emocione gjatë ndeshjes?
Shikoni, mua më kanë parë shumë sytë gjatë karrierës. Kam luajtur në klube të mira, kam fituar tituj, por ju siguroj se Liga e Kampioneve ishte krejt ndryshe. Këtu tek ne atmosfera u ndez shumë dita para ndeshjes. Tifozët ishin aq të ekzaltuar, sa ndonjëherë na trembnin me gjithë atë besim që kishin se ne mund t’ia dilnim edhe në këtë fazë. Për më tepër që në stadiumin e Atletikos kishin udhëtuar rreth dy mijë vetë.
Çfarë i thatë vetes kur nisi ndeshja?
Nuk e di, me sinqeritet jua them. Thjesht isha i bindur se do më duhej të luftoja shumë për të bërë atë që duhej. Na ndihmoi fakti që kishim shumë besim në vetvete. E kishim diskutuar edhe para ndeshjes se ishte arritje e madhe të mbërrije deri këtu, ndaj në një farë mënyre misioni ishte i përmbushur. Ndërsa tani, megjithëse jemi akoma më shumë në qendër të vëmendjes, luajmë me më pak presion.
Çfarë ju bën më tepër përshtypje këto ditë?
Ambienti. Adrenalina, jo vetëm e tifozëve, por edhe e gjithë pjesëtarëve të klubit është e paparë. Të gjithë sillen paksa çuditshëm. Nuk di si ta shpjegoj, janë paksa si shumë euforikë, do të thosha se janë në limitet e delirit.
Jeni shqiptari i vetëm që luani këtë sezon në këtë fazë në Ligën e Kampioneve...
Më bën të ndihem krenar. E di që ka një interes të madh, pasi është një nga kompeticionet më të ndjekur. Gjithsesi, kur hyra në fushë, e ndjeva se duhej të bëja diçka më shumë edhe për sportdashësit shqiptarë.
A ju vjen keq që nuk keni luajtur në moshë më të re në Champions?
Po, sigurisht. Nuk është njësoj si të luash 25 vjeç dhe 34 vjeç në këtë kompeticion. Ka shumë arsye për të më ardhur keq, por edhe për t’iu gëzuar faktit që të paktën e realizova këtë objektiv.
Cilat janë arsyet?
Së pari, je gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes. Nëse paraqitesh mirë në ndeshje të këtij kompeticioni, ke mundësi të ndërtosh një të ardhme më të mirë. Ka më shumë interes, kënaqësi, emocione. Unë gjithsesi mbetem i kënaqur që jam pjesë e Ligës së Kampioneve tani, por nëse do të isha më i ri, sigurisht që do të më kishte shërbyer më shumë.
Sa punë t’u desh kundër yjeve të Atletikos si Aguero dhe Forlan?
Sa të duash....(qesh)..., por të kuptohemi drejt, nuk është se i mbuloja unë të gjithë. Atletiko është një skuadër shumë e mirë dhe e dinim që në fillim se mund t’i ndalnim vetëm nëse luanim në grup.