E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala për rekord, 10 vjet me Hanoverin

Kapiteni i Kombë-tares shqiptare, Altin Lala, këtë verë do të festojë një datë të madhe, sepse bëhet një dekadë që ai luan me Hanoverin. 

JETMIR HALILAJ

 Shumë futbollistë do të krenoheshin me një apo dy sezone në Bundesligën 1, kurse Lala ka dhjetë të tillë. Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë përvjetor, është fakti që ai gjatë gjithë këtyre viteve ka luajtur vetëm me fanellën e Hanoverit. Mesfushori shtatshkurtër ka thënë se do të luajë edhe dy vjet, si me klubin, ashtu dhe me Kombëtaren para se të varë këpucët në gozhdë. Kur të vijë ai moment, Lala do të jetë 34 vjeç dhe gjasat janë që të emërohet drejtor i shkollës së futbollit në Hanover, por jo trajner. Këtë punë ai nuk e dëshiron. "Kam kohë deri në moshën 34-vjeçare, pastaj do të jem diku në stafin drejtues të klubit. Trajner nuk besoj se do të bëhem ndonjëherë, sepse nuk më pëlqen. Arsyeja është e thjeshtë: ke në dispozicion 25 lojtarë, por vetëm 11 prej tyre do të luajnë, të tjerët më pas fillojnë dhe të urrejnë", ka thënë Lala për gazetën lokale të Hanoverit, "Hannoversche Allgemeine". Megjithëse nuk është më një djalosh i ri, shtatshkurtri shqiptar cilësohet ndër më të mirët në rolin e tij prej mesfushori shkatërrues në Bundesligën 1. "Në pozitat që jam, përvoja është tepër e rëndësishme. Edhe pse luaj prej dhjetë vjetësh te Hanoveri, mendoj se kam ende për të mësuar - është shprehur ai. - Gjithmonë dëgjoj me vëmendje kërkesat e trajnerit dhe mundohem t'i realizoj detyrat e mia me përpikmëri". Ai shquhet për lojë të ashpër, por vetë ai asnjëherë nuk e ka pësuar nga dueli me të tjerët. Edhe në këtë element të lojës është perfekt. "Peshoj vetëm 60 kilogramë dhe deri më tani askush nuk ka arritur të më dëmtojë në dyluftime. Është e pabesueshme", tha ai. Me sa duket mesfushori nuk e merr në konsideratë dëmtimin që i shkaktoi holandezi De Jong në ndeshjen me Kombëtaren më 11 tetor të vitit 2006, ku më pas Lalës iu desh të qëndronte jashtë fushave për gjashtë javë. Ai te Hanoveri është transferuar në korrik të vitit 1998 nga skuadra e rangut të ulët Borusia Fulda. Me Hanoverin ka kontratë deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Deri tani është aktivizuar në 264 ndeshje dhe ka shënuar dhjetë gola. Me Kombëtaren e Shqipërisë ka realizuar 63 ndeshje dhe ka shënuar tre gola. Disa ditë më parë, para ndeshjes miqësore me Porton (1-1), bosi i Hanoverit, Martin Kind, i dhuroi Lalës një buqetë me lule për dhjetëvjetorin e tij në klub. Padyshim që një buqetë edhe më të madhe, Lala do ta marrë kur të varë këpucët në gozhdë pas dy vjetëve. Për këtë janë të sigurt të gjithë. Edhe vetë Lala.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›