E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati bisedimet me UNMIK, Jeremiç dërgon ftesën

Këtë javë pritet të nisin bisedimet mes UNMIK-ut dhe zyrtarëve të Beogradit për sa i përket rikonfigurimit të UNMIK-ut. 

Ndërsa kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannieri ka deklaruar se pret ftesën zyrtare të Beogradit për të sqaruar çështjen e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç nuk ka vonuar dhe e ka dërguar dje ftesën. Serbia e ka kundërshtuar fort planin e rikonfigurimit të UNMIK të propozuar nga Ban Ki Mun, pasi ai i hap udhë misionit EULEX, të cilin Beogradi e quan ilegal dhe ka kërkuar fillimin e negociatave mbi planin e rikonfigurimit. "Vijat e kuqe të Beogradit mbeten absolutisht të pandryshuara dhe Serbia nuk do të pranojë asgjë që do ta vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore dhe sovranitetin e saj", tha Jeremiç. Plani i rikonfigurimit aktualisht ka nisur dhe pritet të përfundojë në vjeshtë. Ndërkohë, shefi i diplomacisë në BE, Havier Solana, tha se "Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, duhet të jetë tërësisht operativ brenda vjeshtës. EULEX në Kosovë i ka aktualisht rreth 400 pjesëtarë dhe derisa ky mision të vendoset plotësisht, UNMIK-u do të jetë përgjegjës për të gjithë sektorët".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›