E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Premtoj se SHBA do t'ju ndihmojë të realizoni ëndrrat

 

Përfundoi me sukses udhëtimi, që solli ngjarjen politike më të rëndësishme të Kosovës, që pas shpalljes së pavarësisë, një takim i liderëve kosovarë me Presidentin e shtetit më të fuqishëm në botë, Bush, i cili premtoi për mbështetje të mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. Takimi u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte kulmi i vizitës treditore të Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaçi. Presidenti Bush rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe tërësinë territoriale të saj. Bush theksoi se, është një përkrahës i palëkundur i pavarësisë së Kosovës dhe se është kundër ndarjes së territorit saj. Ai sqaroi se në takim u diskutua për një sërë çështjesh përfshirë ekonominë si edhe aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Bush u premtoi liderëve të Kosovës se do të përpiqet të bindë më shumë vende që ta njohin pavarësinë dhe të lidhin marrëdhënie diplomatike me vendin e tyre të ri. "Unë premtoj se SHBA do të vazhdojë të punojë me ato vende, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës për t'i bindur ata ta hedhin sa më shpejt këtë hap", tha Bush para gazetarëve. Presidenti amerikan foli pasi takoi në Zyrën e tij Ovale Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. "Jam një mbështetës i fortë i pavarësisë së Kosovës. Jam kundër ndarjes së Kosovës", tha Bush. "E vlerësoj kurajën tuaj, e vlerësoj drejtimin tuaj dhe premtoj se, SHBA do t'ju ndihmojë të realizoni ëndrrat tuaja", theksoi Presidenti amerikan. Bush shprehu angazhimin dhe mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Ndërsa udhëheqësit e Kosovës, shprehën mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara dhe u angazhuan për ndërtimin e një shoqërie demokratike, që do të respektojë të drejtat e pakicave dhe dëshirën e krijimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Serbinë. Presidenti Fatmir Sejdiu i emocionuar pas takimit premtoi se, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, që e ka pasur mbështetësen kryesore të pavarësisë dhe do të vazhdojë gjithashtu, zbatimin e planit Ahtisari. Thaçi e vlerësoi mbështetjen amerikane dhe e quajti pavarësinë "një histori e përbashkët suksesi". "Sot takimi me Presidentin Bush jo vetëm tregoi faktin se, ne jemi të lidhur ngushtë me SHBA, por edhe që ne do të jemi gjithmonë miq të besueshëm, përgjithmonë", tha Thaçi. Ndërsa Presidenti Sejdiu shtoi se: "Populli i Kosovës do të ndjekë gjithmonë principet e lirisë dhe demokracisë. Ne e garantojmë Presidentin Bush se do të vazhdojmë në këtë rrugë. Kosova do të jetë një vend demokracie, një shtet për të gjithë qytetarët e saj. Do të ketë një respekt të veçantë për minoritetet. Ne jemi shumë të interesuar edhe për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë", tha Sejdiu. "Ne kemi besuar të Shtetet e Bashkuara dhe vazhdojmë të besojmë. Do të ndërtojmë një Kosovë të qëndrueshme dhe demokratike. Do të respektojmë plotësisht minoritetet dhe standardet perëndimore me synimin që në një të ardhme të afërt, Kosovën ta shohim të anëtarësuar në BE dhe NATO", tha Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit, duke shtuar se "Përulemi para Presidentit Bush dhe SHBA-së". Ky ishte takimi i parë zyrtar që Presidenti Bush bëri me përfaqësuesit më të lartë kosovarë, që nga shpallja e pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›